Maqedoni

BE kundër zgjedhjeve të reja, Plomp: do të stërzgjatnin krizën; Stefanson: zgjidhja, në Kushtetutë

25.04.2017 17:27

Bashkimi Europian nuk e sheh të arsyeshme mbajtjen e zgjedhje të reja në Maqedoni...

Ambasadori i Holandës, Vauter Plomp, thotë se Perëndimi i ka vlerësuar zgjedhjet e dhjetorit si reale dhe demokratike dhe çdo përsëritje e tyre do të stërzgjaste krizën që do të shpinte në destabilizim.
 
“Zgjedhjet e dhjetorit ishin fer dhe demokratike, ashtu edhe siç u shprehën një numër i madh i vëzhguesve ndërkombëtarë. Andaj edhe dobia nga zgjedhjet e reja do të ishte e vogël. Zgjedhjet e reja vetëm se do të zgjatnin krizën”,- theksoi ambasadori i Holandës, Vauter Plomp.
 
Edhe ambasadori i Suedisë, Mats Stefanson, thotë se mbajtja e zgjedhjeve është lojë e rrezikshme. Zgjidhja do të duhet të kërkohet në Kushtetutë, thotë Stefanson duke e arsyetuar edhe takimin e mundshëm të liderëve për nisjen e dialogut.
 
“Zgjedhjet e reja do të shkaktonin konfrontim ekstrem, që nuk është mirë për stabilitetin. Zgjidhja do të duhet të kërkohet në Kushtetutë. Mendoj se është mjaft herët për “Përzhinën” 3. Nuk kam informacione për takim liderësh, megjithatë në gjithë këtë klimë të konfrontuar politike, dialogu midis opozitës dhe pushtetit nuk është ide e keqe. Megjithatë, ata do të duhet të vendosin”,- deklaroi ambasadori i Suedisë, Mats Stefanson.
 
Kundër zgjedhjeve, por të formohet qeveri e re është shprehur edhe ambasadori i Sllovenisë, Millan Jazbec.
 
Ambasadorët nuk pohuan paralajmërimet e gazetës gjermane “Shpigel” se BE diskuton për vendosjen e ndalesave për udhëtim dhe bllokim të llogarive të politikanëve kryesues nga Maqedonia.
 
MERAL ISMAILI