Botë

Rikthehen arrestimet në Turqi, 803 persona në pranga si mbështetës të Gulenit

26.04.2017 11:27

Turqia ka organizuar sërish një aksion masiv arrestimesh, në pranga kanë përfunduar 803 persona që akuzohen për mbështetje të klerikut...

Turqia ka organizuar sërish një aksion masiv arrestimesh, në pranga kanë përfunduar 803 persona që akuzohen për mbështetje të klerikut, Fetullah Gulen, i cili për Ankaranë është edhe organizatori i grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik të vitit të kaluar. 
 
Shumica e të arrestuarve janë oficerë policie. Sipas autoriteteve turke, këta individë kishin krijuar një strukturë sekrete brenda forcave policore, e cila përbënte rrezik për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vendit. Tashmë, personat e vënë në pranga do të përgjigjen përpara drejtësisë për akuza të ndryshme, ndërkohë që lëvizja ka pasur sërish kritika nga perëndimorët. 
 
Në operacionin masiv u angazhuan në total 8.500 forca sigurie që duhej të arrestonin mbi 1.000 persona, por arritën që të vënë në pranga vetëm 803 prej tyre. Pas trazirave në qytetet kryesore të vendit, autoritetet arrestuan menjëherë 40 mijë persona, ndërkohë që 120 mijë të tjerë janë shkarkuar ose pezulluar nga detyrat e tyre. 
 
Operacioni masiv vjen vetëm 10 ditë pas referendumit për ndryshimin e sistemit qeverisës, ku propozimet e presidentit, Rexhep Taip Erdogan, u përkrahën nga 51% i elektoratit. Tashmë vendi pritet që në harkun kohor të dy viteve të pësojë ndryshime të theksuara, ku figura e presidentit do të vishet me pushtet ekzekutiv.