Maqedoni
Funksionimi i komunave pas 15 majit, debat në “Argument” në TVM 2
26.04.2017 14:42
Bashkësia e njësive të vetadministrimit lokal pret nga Kushtetuesja që të vendosë për iniciativën e ngritur për zgjatjen...

Bashkësia e njësive të vetadministrimit lokal pret nga Kushtetuesja që të vendosë për iniciativën e ngritur për zgjatjen e mandatit të kryetarëve të komunave pas 15 majit, në të kundërtën pasojat do t’i mbartin qytetarët, pasi të gjitha institucionet në komuna do të ngelin pa paga dhe pa furnizime publike.
Nënkryetari i BNJVL-së, Nevzat Bejta, në emisionin “Argument” në TVM2 thotë se kryetarët e komunave do të veprojnë varësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse Gjykata Kushtetuese sjell vendim, ashtu siç do ta sjellin, ato e dinë vendimin që të vazhdohet mandati, atëherë ata mund të vazhdojnë aktivitetin dhe të venë firmën e tyre, përndryshe asnjë kryetar komune nuk do të vë firmën pas skadimit të mandatit. Nëse do të kenë vendim për vazhdimin e mandatit nga Gjykata Kushtetuese, atëherë asnjë kryetar i asnjë komune nuk mban përgjegjësi”,- theksoi nënkryetari i BNJVL-së, Nevzat Bejta.
Por, profesori universitar, Bashkim Selmani, hedh poshtë mundësinë e zgjidhjes nga Kushtetuesja, por vetëm nga Kuvendi. Ai, madje, përjashton edhe mundësinë që kryetari i komunës para skadimit të mandatit të autorizojë tjetër person që të ushtrojë detyrën e kryetarit pas 15 majit.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë për vazhdimin e mandatit apo anulimin e mandatit, as për ta vazhduar nuk ka të drejtë Kushtetuese, sepse Kuvendi është kryesor në bazë të formave juridike, e para është kodi zgjedhor, po ashtu edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale. Në këtë rast nuk mund dikush tjetër të autorizohet nga kryetari, të ushtrojë detyrën, është në kundërshtim me të gjitha parimet ligjore dhe nuk mban kjo… Dihet mandati se si zhvillohet, si është paraparë, katër vite të plota dhe pas kësaj çdo gjë përfundon”,- deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Kryetari i Këshillit Komunal në komunën e Çairit, Zahir Bekteshi, numëron pasojat e pakthyeshme të pushimit të mandatit të kryetarëve aktualë.
“Maqedonia hyn me një kategori të re të krizës politike, e cila shumë rëndë do të jetë të restartohet në pozicionin fillestar. Duke filluar nga zgjidhja e çështjeve juridiko-pronësore dhe proceseve që ne i zhvillojmë si proces lokal, sikurse çështja e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje, projekt shumë problematik nga shërbimet komunale, funksionimi i shkollave fillore dhe të mesme, obligimet që dalin nga Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, funksionimi i çerdheve për fëmijë”,- theksoi kryetari i Këshillit Komunal – Çair, Zahir Bekteshi.
Profesoresha, Besa Kadriu, drejton gishtin nga mazhoranca parlamentare si kompetente për zgjidhjen e problemit.
“Edhe faktori ndërkombëtar i bën ftesë sidomos shumicës parlamentare që ta zgjidh problemin, të zgjidh këtë ngërç politik. Ju jeni pjesë e asaj shumice, unë mendoj se në këtë kontekst duhet të shtyni edhe më shumë proceset që të shkojë përpara”,- u shpreh profesoresha universitare, Besa Kadriu.
Nënkryetari i BNJVL-së, Nevzat Bejta, u shpreh optimist se shumë shpejt do të dilet nga ngërçi politik, në të kundërtën do të mund të aktivizohej revolucion qytetar. Kjo shikohet me pesimizëm nga akademikët. Profesori Selmani propozon formimin e një komisioni të përzier ad-hok për t’u dhënë instruksione dhe kërkuar përgjegjësi penale, pasi që pasiguria qytetare nga varfëria sa vjen e shtohet.
MERAL ISMAILI
