Maqedoni

“Platforma e Tiranës”, Ivanov: ishte shantazh për krijimin e shumicës; Ivanov: me paratë e “Sorrosit” u dogj Zyra popullore

26.04.2017 15:04

Presidenti Ivanov këmbëngul se nuk mund t’i japë mandatin Zaevit, pasi, sipas tij, ende ekzistojnë pengesa ligjore e politike.

Në një intervistë për televizionin shtetëror hungarez, MTVA, Ivanov thekson se një ekzekutiv që krijohet pa u respektuar terreni kushtetues do të jetë i diskutueshëm dhe i paqëndrueshëm.
 
Më shumë se respektimi i ligjeve, për Ivanovin problemi kryesor vazhdon të mbetet “Platforma e Tiranës”. Maqedonisë i nevojiten reforma dhe jo platforma të shteteve të huaja, potencoi Ivanov.
 
“Shumica është siguruar me shantazh – të pranohet platforma e partive shqiptare të Maqedonisë, e cila është sjellë në Tiranë, në kabinetin e kryeministrit të Shqipërisë. Kjo, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet tona, është sjellje e Maqedonisë në situatë vartëse dhe në varësi të një shteti tjetër. Është edhe vepër ndëshkuese, por edhe është në kundërshtim me betimin tim të dhënë kur e kam marrë funksionin president, se do ta mbroj Kushtetutën dhe ligjet, unë jam përgjegjës për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”,- theksoi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Përveç Tiranës, për përzierje në punët e brendshme të vendit, presidenti ka akuzuar edhe Xhorxh Sorrosin.
 
Me paratë e taksapaguesve amerikanë, u dogj zyra ime në Shkup, akuzon Ivanov, sipas të cilit, OJQ-të e financuara nga “Sorrosi”, se janë vënë në funksion të manipulimit dhe presionit.
 
“Pamë se mjete nga shtetas amerikanë, nga tatimpaguesit e SHBA-së janë transferuar në fondacionin i cili e mban emrin e “Sorosit” dhe janë përdorur madje edhe për aksione të dhunshme. Një nga këto ishte edhe djegia e Zyrës popullore. Dhe pa brenga të ndërgjegjes, ata pohojnë se kjo ka qenë protestë, gjegjësisht mënyrë e veprimit të organizatave të tilla”- u shpreh presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Ivanov thotë se do të mbrojë me çdo kusht Kushtetutën, edhe për faktin që më pas askush të mos kërkojë përgjegjësi nga ai. 
 
GAZMEND REXHEPI