Maqedoni
Rregullim ligjor i mediave, ShGM: LSDM përdor OJQ-të për ide të mbrapshta
26.04.2017 16:15
Gjendja me lirinë e mediave vazhdon të mbetet në nivele alarmuese në vend. Nga ShGM vlerësojnë se ngritja për disa vende në radhitjen e “Reporterëve pa kufij”...

Gjendja me lirinë e mediave vazhdon të mbetet në nivele alarmuese në vend. Nga ShGM vlerësojnë se ngritja për disa vende në radhitjen e “Reporterëve pa kufij”, është për shkak të ndryshimit te metodologjisë së vlerësimit të organizatës, por gjendja është skandaloze, njësoj si një vit më parë.
“Kjo është pasojë e ndryshimit të qasjes dhe metodologjisë së punës për hetimin e lirisë në botë dhe kjo nuk është përmirësim i situatës, sepse ne vazhdojmë të jemi të fundit në nivelin evropian për lirin e mediave”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Por, ShGM nuk mendon se situata mund të rregullohet përmes gjobave, siç propozuan një ditë më parë disa organizata joqeveritare. Për ShGM-në, ky propozim është “vetëvrasje” e profesionit, i cili nuk ka për qëllim të çlirojë, por do të ngulfasë edhe më shumë mediat në vend.
Në të njëjtën vijë është edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Rikardo Gutierës, që kërkon respektim të ligjeve ekzistuese.
“Më shqetëson përpjekja e të ashtuquajturës shumicë parlamentare e drejtuar nga LSDM, e cila përdor disa ekspozitura të saja në sektorin civil që nuk kanë lidhje me lirinë e mediave , për të promovuar ide të mbrapshta se kinse ata kanë zbuluar arsyen se si mund të dilet nga situata e përkeqësuar e mediave në vend. Qasja me ashpërsimin e legjislacionit është rrugë qore dhe është çmenduri të presësh se me ligje restriktive ndaj mediave do të mund të garantohet liria e mediave”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
“Unë jam i shqetësuar për lirinë e përkeqësuar të mediave në Maqedoni dhe vlerësoj se në asnjë mënyrë këtij vendi nuk i nevojiten ligje të reja për media, me të cilat do të përkeqësohej edhe më shumë kjo situatë. E vetmja gjë që nevojitet është zbatimi i ligjeve ekzistuese dhe angazhimi më i madh i shtetit për të promovuar lirinë e të shprehurit”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Rikardo Gutierës.
Gutierres thotë se në përmirësimin e gjendjes do të ndikonte ndërprerja e financimit të mediave nga shteti dhe dhuna ndaj gazetarëve.
Deklaratat e ShGM-së dhe FEG-ut janë diametralisht të kundërta me kërkesën e disa OJQ-ve të martën, se për të rikthyer profesionalizmin në media nevojiten rregullime ligjore dhe vetërregullim.
REXHEP QAMILI
