Botë
Tensione në rajonin aziatik, Kina përuron aeroplanmbajtësen e re
26.04.2017 16:35
Kina nxori në det një aeroplanmbajtëse të re, diçka që shton ndjeshëm praninë e saj ushtarake mes rritjes së tensioneve në rajon...

Me një ceremoni festive, autoritetet kineze futën për herë të parë në ujë aeroplanmbajtësen e parë të prodhuar tërësisht në vend, e dyta e Kinës në total. Mjeti lundrues ende nuk është pagëzuar me një emër dhe do të jetë plotësisht operacionale në vitin 2020.
Por, që tani aeroplanmbajtësja dërgon mesazhin e militarizimit të mëtejshëm të rajonit, teksa tensionet mes fqinjëve aziatikë sa vijnë e shtohen. Koreja e Veriut vazhdon që të jetë sfiduese dhe aeroplanmbajtësja mund të jetë një tjetër mesazh i Pekinit, se Peniani duhet të tregohet i matur.
Komuniteti ndërkombëtar pret shumë nga Kina në zgjidhjen e krizës së Koresë së Veriut, por s’është e qartë sesi mund të ndihmojë në këtë drejtim përforcimi i ushtrisë kineze, megjithëse ky i fundit ndërgon mesazhe edhe për të tjerë aktorë në rajon.
Në kuadër sinjalesh dhe shfaqjeje force, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut zhvilluan stërvitjen e radhës ushtarake në reagim të një manovre të ngjashme nga Koreja e Veriut, që vazhdon të shfaqet sfiduese ndaj kujtdo.
