Maqedoni
Vendimi për “bombat”, Supremja pa vendim edhe pas dy orësh debat
26.04.2017 17:20
Dy orë zgjati seanca e përgjithshme e gjykatësve të Supremes, por as pas diskutimeve të gjata Supremja nuk mori asnjë vendim...

Dy orë zgjati seanca e përgjithshme e gjykatësve të Supremes, por as pas diskutimeve të gjata Supremja nuk mori asnjë vendim nëse materialet e përgjuara do të përdoren si prova në procedurë hetimore dhe se kush ka kompetencë që të dorëzojë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Dy propozimet e kryetarit të Supremes, Jovo Vangellovskit, mbetën të diskutohen në seancën e së enjtes.
Vangellovski thirret në praktikën e deritashme të praktikës gjyqësore, se dëshmitë e siguruara në mënyrë të paligjshme nuk mund të përdoren në procedura hetimore. Por, duket se në Gjykatën Supreme ka mendime kundërthënëse në lidhje me propozimet e Vangellovskit.
Nuk është hera e parë që vendimi i Supremes për këtë çështje shtyhet. Seanca e përgjithshme një herë u ndërpre, me arsyetimin se një pjesë e gjykatësve janë sëmurë, por jozyrtarisht mësohet se Jovo Vangellovski nuk ka arritur të sigurojë kuorumin minimal që propozimet e tij të votohen dhe me këtë të bllokohet puna e Speciales.
Nga Gjykata nuk deshën të tregojnë nëse kishte kuorum në këtë seancë, shkurt thanë se në këtë seancë nuk është votuar, por vetëm janë shqyrtuar propozimet.
Sa i përket paraburgimit të Koçanit, një pjesë e gjykatësve konsiderojnë se kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ka të drejtë të sjellë vetëm PPS-ja.
Ekspertët paralajmëruan se Gjykata Supreme nuk guxon të pranojë propozime me të cilat plotësisht do të bllokohet puna e Prokurorisë Publike Speciale.
SANIJE DURAKU
