Maqedoni
Kuvend, vazhdon seanca konstituive, Aviroviq: Platforma rrezikon Maqedoninë; Sela: Platforma, alibi. Keni hallin e PPS-së
26.04.2017 18:00
Deklarata e përbashkët e partive shqiptare edhe më tej mbetet material për diskutim në seancën konstituive të Kuvendit republikan...

“O tërhiqni platformën, o pranoni zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thonë deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE.
Vlladanka Aviroviq nga Partia Socialiste kërkoi nga LSDM që të tërhiqet dhe të dënojë Platformën nga Tirana.
“Që Maqedonia ndodhet në situatë të komplikuar, kjo është e qartë për të gjithë qytetarët. Dhe ky debat mbahet para së gjithash për shkak të rreziqeve që janë objektive dhe që do të ndodhin pas zbatimit të kësaj Platforme nga Tirana. I bëj thirrje kryetarit të LSDM-së ta tërheq këtë Platformë, ta tërheq nënshkrimin e tij dhe sa më shpejt të formohet Kuvendi, të zgjidhet kryetari, nënkryetarët dhe Qeveria e RM-së”,- deklaroi Vlladanka Aviroviq nga Partia Socialiste.
Mirëpo, Zijadin Sela nga Aleanca për shqiptarët thotë se Deklarata e përbashkët e partive shqiptare shfrytëzohet si alibi nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO vetëm për t’i ikur përgjegjësisë para ligjit.
“Unë e di ku e keni hallin. Deklarata e përbashkët e partive politike ekziston edhe kur ju e kishit mandatin. Ju e keni vetëm një hall. Prokurorinë Speciale. Nëpërmjet kësaj ju vetëm doni që t’i ikni përgjegjësisë nga Ligji, nga e drejta, e cila patjetër se duhet të vendoset në Maqedoni”,- u shpreh Zijadin Sela nga Aleanca për shqiptarët.
Sela tha se do të mbështeste idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare me kusht që paraprakisht të shkarkohej presidenti Ivanov, për shkak të shkeljes së Kushtetutës dhe PPS-së të bëhet pjesë e përhershme e sistemit gjyqësor duke e sanksionuar me Kushtetutë.
Të rikujtojmë se Kuvendi ka ngecur në pikën e tretë të seancës konstituive që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar. Edhe pse material për diskutim është zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhdojnë debatin rreth Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare.
Deri tani fjalën e kanë marrë 14 diskutantë nga gjithsej 49 të paraqitur për fjalë. Ndër ta edhe kryeministri teknik, Emill Dimitriev, i cili mban post të dyfishtë.
SHPËTIM NUREDINI
