Maqedonia “djali i keq” i Ballkanit, vendi i fundit në Ballkan për nga liria e mediave

26.04.2017 19:22

Organizata “Reporterët pa kufij” e rendit Maqedoninë në pozitën më të rëndë dhe të fundit në rajon për nga liria e mediave....

Organizata “Reporterët pa kufij” e rendit Maqedoninë në pozitën më të rëndë dhe të fundit në rajon për nga liria e mediave, ose të 111-ën nga 180 vende të botës.

Gjatë vitit të kaluar, liria e mediave ka rënë ndjeshëm në të gjithë rajonin e Ballkanit, por erozioni i sundimit të së drejtës ishte më i theksuar në Maqedoni, nënvizohet në raportin e organizatës “Reporterët pa kufij”.

Maqedonia, edhe pse ka përparuar praktikisht për shtatë vende në listë, duke u pozicionuar në vendin e 111, mbetet akoma e ankoruar në fund të kornizave evropiane.

Pas Maqedonisë janë të radhitura Rusia, Bjellorusia dhe Turqia, të cilat vende vitin e kaluar nga “Freedom House” u cilësuan si “jo të lira”. Raporti për Maqedoninë titullohet “Djaloshi i keq   i Ballkanit”.

“Fyerja është nxjerrë nga Kodi Penal i vitit 2012, por akuzat u zëvendësuan me aksione qytetare deri në mundësinë për gjoba të larta dhe arrestime për reporterët dhe pronarët e mediave. Kishte shumë raporte për kërcënime, dhunë, sulme dhe frikësime të gazetarëve, ndërsa shtypja e partisë në pushtet çoi disa nga mediat në vetëcenzurim”,- nënvizohet në komentin e shkurtë për gjendjen e Maqedonisë.

Sipas këtij raporti, vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë bërë përparime të lehta në rajon. Kjo organizatë e radhiti Shqipërinë në vendin e 76, ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 82, kurse Kosova radhitet e 82-a, ndryshe nga një vit më parë kur ishte radhitur në vendin e 90.

Nga vendet e rajonit, më së miri qëndron Bosnja dhe Hercegovina, që është radhitur në vendin e 65, e pasuar nga Serbia në vendin e 66, Kroacia në vendin e 74 dhe Mali i Zi në vendin e 106.

Organizata vlerëson se në botë është shënuar një “rënie e thellë dhe shqetësuese” e lirisë së medias. Në listë kryesojnë tradicionalisht vendet skandinave si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, ndërsa në fund të saj ndodhen Eritrea dhe Koreja e Veriut. (Leunora Kaliqi, TVM2)