Botë

BE, kritika ligjit për arsimin në Hungari

27.04.2017 14:34

Grindja mes BE-së dhe Hungarisë për ligjin e ri të arsimit të lartë ka mbërritur në Parlamentin Europian...

“Unë dhe të gjithë hungarezët i preferojmë fjalët e qarta, edhe nëse ato nuk i pëlqejnë ndokujt", tha kryeministri hungarez, Viktor Orban përpara ligjvënësve në Strasburg e duke nënqeshur shtoi se një hungarez nuk heq asnjëherë dorë nga lufta.
 
Qortimet e komisionit të BE-së mbi një seri ligjesh të diskutueshme vërshojnë prej kohësh ndaj Budapestit zyrtar. Zëvendëskryetari i tij, Frans Timmermans e ka akuzuar ashpër qeverinë hungareze për gërryerjen e demokracisë në vendin e vet. 
 
Përpjekja për të mbyllur "Central European University" (CEU), të themeluar nga manjati hungarezo-amerikan i financanve, George Soros, është e gabuar, komentonte ai, duke sqaruar se shkenca e lirë dhe angazhimi i shoqërisë civile janë indet e çdo demokracie. “Deutsche Welle” nënvizon se ligji i ri po verifikohet tani nga Komisioni Europian në një proces formal, ashtu siç po ndodh edhe me ligjin e azilit, i cili parashikon dëbimin e refugjatëve. 
 
Kam dyshime serioze nëse të gjitha këto përputhen me të drejtën europiane, deklaron Timmermans. Orban mbrohet duke kujtuar se nga legjislacioni i arsimit të lartë nuk preket vetëm CEU, por 22 universitete private, të cilat duhet t’i nënshtrohen të njëjtit standard.
 
Komisioni Europian e pati vënë Hungarinë në shënjestër edhe në vitin 2011 për mediat dhe reformën e Gjykatës Kushtetuese. Mosmarrëveshjet e asaj kohe u mbyllën me kompromis./Top Channel