Vendimi për “bombat”, Supremja shtyn seancën në afat të pacaktuar
Gjykatësit e Gjykatës Supreme sërish nuk votuan për atë se materialet e përgjuara....

Gjykatësit e Gjykatës Supreme sërish nuk votuan për atë se materialet e përgjuara a do të përdoren si prova në procedurë hetimore, me ç’rast seanca është shtyrë për afat të pacaktuar.
“Është absurde që Prokuroria Publike Speciale kërkon që të tërhiqet kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së Prokurorisë Publike”, - tha shkurt kryetari i Supremes, Jovo Vangellovski, duke shtuar se kur të diskutohet në seancën e përgjithshme do të ftohen edhe ekspertë si Mirjana Lazarova Trajkovska, me qëllim që gjyqtarët të studiojnë praktikën gjyqësore europiane.
Sa i përket paraburgimit të biznesmenit, Sead Koçan, nga Gjykata thanë se për shkak të orarit të ri të gjykatësve, gjykatësja Lidija Nedelkova është hequr nga rasti dhe do të vendoset për trup të ri gjykues.
Këto dy propozime të kryetarit të Supremes e kishin fatin e njëjtë edhe në seancën e së mërkurës, ku edhe pas 2 orësh diskutime gjykatësit nuk arritën të sjellin vendim nëse materialet e përgjuara do të përdoren si prova në procedurë hetimore dhe se kush ka kompetencë që të dorëzojë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Pritet të shihet nëse në seancën e radhës Vangellovski do të arrijë të sigurojë kuorumin minimal që propozimet e tij të votohen dhe me këtë të bllokohet puna e Speciales. (Sanije Duraku, TVM2)
