Dominim i plotë i Mercedesit në Monako
Nico Rosberg fitoi Çmimin e Madh të Monakos. Piloti gjerman i Mercedesit...
Nico Rosberg fitoi Çmimin e Madh të Monakos. Piloti gjerman i Mercedesit, i cili u nis nga vendi i parë pas “pole-position”-it të siguruar ditën e shtunë, arriti të ruante pozicionin e tij, duke u mbrojtur gjatë gjithë kohës nga shoku i skuadrës, Leëis Hamilton.
Britaniku arriti të mbante nën presion gjatë gjithë garës gjermanin, por pa mundur ta parakalonte. Fati i keq i tij bëri që të kishte probleme me pamjen dhe të humbiste shumë kohë ndaj pilotit që kishte pas shpine, Daniel Ricciardo-s me Red Bullin, e megjithatë arriti të mbante pas australianin deri në përfundim të garës.
Garë e mirë mund të cilësohet kjo e principatës për australianin, por edhe për Red Bullin, të cilët kishin një ritëm fantastik veçanërisht në xhirot e fundit, duke tentuar edhe vendin e dytë, por pa sukses. Nga ana tjetër, Ferrari vazhdoi të zhgënjejë, edhe pse spanjolli Alonso siguroi vendin e katërt, në një garë të vështirë si ajo e Montekarlos.
Një nxitim i Raikkonenit, kur kishin mbetur 3-4 xhirot e fundit, bëri që të mos marrë kthesën siç duhej dhe të dëmtonte makinën e tij, duke penguar disi edhe garuesit e tjerë pas shpine, e duke e mbyllur garën në vendin e 12. Pikët e para në një botëror të Formulës 1 I ka siguruar edhe Marussia, pas vendit të 9 të Zhules Bianchit.
