Lirohet Ramush Haradinaj, trojet shqiptare në festë
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kthehet lirisë...

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kthehet lirisë. Gjykata në Colmar hodhi poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së për zonën e Dukagjinit, i akuzuar për krime lufte.
Haradinaj thotë se edhe përkundër 4 muajve të humbur, lirimi është fitore e të gjithë shqiptarëve.
“Kam humbur katër muaj kohë, nuk është kohë e paktë, është kohë e çmueshme, megjithatë ta quajmë këtë përballje, shqiptarët fituan. Nuk besoj se diçka e jashtëzakonshme ka ndodhur, vetëm ajo që është dashur të ndodhë. E drejta jonë është e drejta jonë, edhe ne do t’i qëndrojmë besnikë gjithmonë”,- theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Urimet për lirimin e Haradinajt nuk kanë munguar nga të gjitha trojet shqiptare. Qeveria në Prishtinë konsideron se fletarrestet serbe janë të paligjshme dhe të padrejta. Presidenti Thaçi tha se me këtë vendim edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër UÇK-së janë të paqëndrueshme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se Haradinajn do ta presë populli e nuk do të lejojnë të shtrohet qilimi i kuq nga njerëz që duan të përfitojnë duke keqpërdorur këtë rast.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “Haradinaj rikthehet edhe një herë fitimtar në Prishtinë. Krenar për UÇK-në, e drejta vonon po nuk harron”,- shkruan Rama.
Edhe ShVL - UÇK ka përshëndetur lirimin e Haradinajt, duke vlerësuar se do të vazhdojnë të jenë pranë tij për të çuar bashkërisht në vend amanetet e të gjithë të rënëve nën emblemat e UÇK-së.
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, ka kërkuar nga vendet e BE-së të mos i marrin parasysh udhërarrestet e Serbisë.
Por, lirimi që ngazëlloi shqiptarët ka tërbuar Serbinë. Presidenti Vuçiq e cilësoi si skandaloz, të turpshëm, antiligjor, të padrejtë e të motivuar politikisht vendimin e Gjykatës.
Qeveria serbe mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi t’i dërgojë një notë proteste me tone të ashpra Francës.
Vuçiq thotë se askujt, e as Francës nuk do t’i lejohet të injorojë Serbinë. Pas lirimit të Haradinajt, Serbia ka vënë kontakte me shumë ambasadorë dhe më pas do të bisedojë edhe me shefin e Diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Por, edhe përkundër protestës, Beogradi nuk mund të ankimojë vendimin e gjykatës. (Gyltene Sinani, TVM2)
