Maqedoni
Stereotipat dhe dallimet, “Megjashi”: Duhen mënjanuar që në fëmijëri
27.04.2017 16:41
Respektimi i diverziteteve, mbështetja e individualitetit të fëmijëve si dhe ndërtimi i paqes dhe kulturës...

Respektimi i diverziteteve, mbështetja e individualitetit të fëmijëve si dhe ndërtimi i paqes dhe kulturës janë elementet më të rëndësishme për zhvillimin dhe forcimin e vetëdijes qytetare të fëmijëve. Për këtë qëllim, Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi” ka promovuar tre botime me të cilat synohet largimi i stereotipave që në moshë të vogël.
“Është shumë e rëndësishme që fëmijët që në vegjëli të shtyhen të jenë qytetarë të ardhshëm aktivë, që do të përmirësojnë paragjykimet e stereotipat për personat që janë ndryshe nga ata”,- deklaroi kryetari i “Megjashit”, Dragi Zmijanac.
Ekspertët thonë se rolin kryesor në këtë drejtim duhet ta luajnë shkollat.
“Secili mjedis ka probleme konkrete. Ajo që ndodh në Dibër, nuk është njësoj me atë që ndodh edhe në Vinicë, pra nuk mund të ketë një program unifikues. Duhet të ketë hapësirë dhe liri, shkollat të ndërmarrin hapa për problemet të cilat paraqiten”,- theksoi punonjësja e paqes - “Megjashi”, Ana Bitoljanu.
Dallimet sociale dhe “urat” që ekzistojnë në shoqëri, sipas psikologëve, janë shfaqur më shumë si pasojë e jetesës bashkëkohore.
“Mënyra e sotshme e jetesës thelloi dhe nxori në pah dallimet mes fëmijëve, sidomos në aspektin ekonomik dhe social. Madje edhe mënyra se si e shfrytëzojnë fëmijët internetin, i bëri më të vetëdijshëm për diversitetet sesa për elementet në bazë të të cilave mund të lidhen”,- u shpreh psikologja në Sh. M. “Nikolla Karev", Gordana Blazevska-Spiridonova.
“Megjashi” thotë se duhet të mbahen më shumë orë dedikuar dallimeve mes fëmijëve dhe më shumë material edukativ që duhet t’u shpërndahen shkollave.
BELINDA KOKA-ADEMI
