Maqedoni

Dhuna në Kuvend, Gruevski fajëson LSDM-në dhe partitë shqiptare

28.04.2017 09:20

Lideri i VMRO-DMPNE-së, Nikolla Gruevski, ka dënuar ashpër incidentin e mbrëmshëm në Kuvend...

Lideri i VMRO-DMPNE-së, Nikolla Gruevski, ka dënuar ashpër incidentin e mbrëmshëm në Kuvend dhe kërkoi nga institucionet shtetërore hetim të shpejt dhe efikas për të zbuluar kryerësit e dhunës.
 
Gruevski thotë se shkaktari kryesor i incidentit janë provokimet e shumta të LSDM-së ndaj popullit maqedonas dhe përzgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, i cili, sipas tij, është bërë në mënyrë joligore.
 
“Provokimet e shumta ndaj VMRO-DMPNE-së dhe ndaj popullit maqedonas janë shkaktarë kryesorë i eskalimit të situatës në Kuvend. Mënyrën me të cilën ata e përzgjodhën kryetarin e ri të Kuvendit është tërësisht joligjore, jashtë kushtetues dhe rregullores së punës së Kuvendit. Unë dënoj dhunën e disa individëve që sulmuan mbrëmë fizikisht një numër të madh të deputetëve në Kuvend. Asnjëherë nuk e kam mbështetur dhunën pa marrë parasysh se për çfarë arsye bëhet fjalë dhe kush atë e nxit. U bëj thirrje institucioneve shtetërore të realizojnë hetim të shpejt dhe efikas, dhe t’i zbulojnë kryerësit të grumbullojnë dëshmi dhe menjëherë të njëjtët të dënohen”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski daljen e vetme nga kjo situatë e sheh në takimin e ri të liderëve, të iniciuar nga Ivanovi. 
 
“Bëj thirrje që të pranohet iniciativa e presidentit, Gjorge Ivanov, për t’u takuar liderët partiakë për të gjetur zgjidhje institucionale në mënyrë të qetë dhe pa e dëmtuar shtetin dhe qytetarët. Vetëm përmes dialogut politik mund të dilet nga situata e tanishme, çdo gjë tjetër shkon në kaos”,- theksoi kryetari i VMRO–DPMNE–së,  Nikolla Gruevski.
 
Gruevski këto prononcime i beri në konferencën e jashtëzakonshme pas kthimit të tij nga Vjena dhe shtoi se në ditët në vazhdim partia e tij do të vendosë për hapat e mëtejshëm politik.  
 
REXHEP QAMILI