Maqedoni

Tenda para shtëpisë ligjvënëse, para Kuvendit situata është e qetë

28.04.2017 12:58

Maqedonia po përjeton momentet më të vështira nga ekzistimi i saj...

Situata para dhe brenda hapësirave të Kuvendit Republikan ditën e sotme është e qetë dhe forcat e rendit kanë vënë në funksion sigurinë dhe qetësinë publike, pas një nate të tensionuar, ku për katër orë rresht demonstruesit qëndruan në Kuvend dhe ushtruan dhunë ndaj shumicës së re parlamentare pas zgjedhjes së kreut të ri të Parlamentit.  
 
Momentalisht, brenda hapësirave të Kuvendit nuk ka njerëz, por as personel apo deputetë, pjesa më e madhe e qytetarëve që protestuan dhe shkaktuan trazira mbrëmë janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa para Kuvendit ka dhe një grup qytetarësh të cilët qysh në orët e mbrëmjes së djeshme vendosën tenda dhe kanë vendosur të vazhdojnë të qëndrojnë aty në shenjë proteste për zgjedhjen e shumicës së re parlamentare dhe emërimit të kreut të ri të Kuvendit Republikan.
 
Për shkak të sigurisë së përgjithshme, organet e rendit publik kanë shtuar edhe për sot masat e sigurisë për mbrojtje të qytetarëve, objekteve dhe institucioneve të vendit.