Maqedoni
Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, reagojnë Kosova dhe Shqipëria
28.04.2017 13:23
Pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Maqedonisë, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë...

"Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin fqinj të Maqedonisë",- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me situatën politike të krijuar në Maqedoni pas votimit të kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Po ndjekim me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambientet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj disa deputetëve. Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkëjetesës e harmonisë ndëretnike, si edhe të përparimit euroatlantik të vendit. Mbështesim thirrjen e ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe të ShBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qenësishëm politik në Maqedoni”,- deklaron Bushati.
