Maqedoni
Dhuna në Kuvend, 76 të lënduar u trajtuan në dy spitalet e Shkupit. Hasani: Gjendja shëndetësore e deputetit Sela, stabile
28.04.2017 13:55
Si pasojë e dhunës së mbrëmshme në Kuvendin Republikan, 28 persona mbrëmë kanë përfunduar në Qendrën Urgjente në Spitalin Shtetëror në Shkup...

Si pasojë e dhunës së mbrëmshme në Kuvendin Republikan, 28 persona mbrëmë kanë përfunduar në Qendrën Urgjente në Spitalin Shtetëror në Shkup, 19 prej të cilëve pjesëtarë të MPB-së, tre deputetë dhe të tjerët civilë. Dy nga të hospitalizuarit kanë përfunduar me ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa gjashtë të tjerë janë ndalur për kurim spitalor.
“Në Qendrën Urgjente janë pranuar gjithsej 28 të lënduar dhe prej tyre gjashtë janë hospitalizuar. Tek dy prej të hospitalizuarve është bërë ndërhyrje kirurgjikale në Klinikën e Traumatologjisë dhe të gjithë tani janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe janë jashtë rrezikut për jetë”,- deklaroi drejtori i Qendrës Urgjente, Rexhep Selmani.
Në mesin e deputetëve të lënduar që janë trajtuar në këtë klinikë ka qenë kreu i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, dhe nënkryetarja e LSDM-së, Radmila Sheqerinska. Traumatologu, Ili Hasani, i cili është përkujdesur për të, tha se gjendja shëndetësore e Selës është stabile.
“Gjendja shëndetësore e deputetit tonë, Ziadin Sela, është stabile për momentin edhe pse mbrëmë u pranua me lëndime të rënda në pjesën e kokës, të gjoksit, të fytyrës dhe të hundës. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij këtu ai ka qenë në vetëdije të plotë. Lëndimet e trurit janë serioze, por duket se nuk do të lënë pasoja”,- tha traumatologu, Ilir Hasani.
Po ashtu në spitalin e vjetër të Qytetit të Shkupit kanë kërkuar ndihmë mjekësore 48 persona, gjashtë prej të cilëve me lëndime të rënda në pjesën e kokës dhe të qafës. Autoritetet e kësaj klinike informojnë se tani të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, por pranojnë se disa prej tyre mbrëmë kanë qenë në koma dhe me lëndime më të rënda. Intervenim kirurgjikal në pjesën e poshtme të këmbës është bërë ndaj njërit prej të lënduarve, ndërsa të gjithë të pranuarit në këtë klinikë kanë qenë civilë.
“Gjithsej 48 persona të lënduar u paraqitën për ndihmë mjekësore gjatë natës së kaluar. Gjashtë prej tyre janë të hospitalizuar në klinikën tonë dhe të gjithëve u është dhënë ndihma e duhur mjekësore. Në mëngjes katër u lëshuan në mjekim shtëpiak, ndërsa dy të tjerët do të largohen deri në fund të kësaj dite. Ata patën lëndime në pjesën e kokës dhe qafës, ndërsa nga boblat e gazit disa prej tyre u sollën dhe me disa therje jo të thella, por falë zotit tani të gjithë janë në gjendje stabile shëndetësore”,- u shpreh drejtoresha e Klinikës “Shën Naumi i Ohrit”, Jasmina Çabukovska.
Për shkak të gjendjes së krijuar, autoritet e të dyja klinikave paralajmëruan përforcim shtesë të ekipeve mjekësore për sonte dhe gjatë vikendit.
REXHEP QAMILI
