Dhuna në Kuvend, ministri i Brendshëm Nuhiu ofron dorëheqjen

28.04.2017 16:57

Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, për dhunën në Kuvend fajëson drejtpërdrejt drejtorin për rend publik, Mitko Çavkov....

Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, për dhunën në Kuvend fajëson drejtpërdrejt drejtorin për rend publik, Mitko Çavkov, i cili nuk ka denjuar as t’ia hapë telefonin gjatë gjithë kohës. Sipas Nuhiut, në strukturat e MPB-së ndikon politika dhe kjo duhet gjykuar, pasi një pjesë e strukturës zbatojnë urdhrat politike në vend të urdhrave komanduese dhe ligjeve. Nuhiu, gjithsesi, ka ofruar dorëheqjen në organet partiake, duke ndjerë përgjegjësi morale për situatën në MPB.

“Ndjej përgjegjësi morale që për periudhën katërmujore që isha në krye të kësaj ministrie nuk arrita që të largoj politikën nga ministria, andaj do të kërkoj tërheqjen time, por do të sigurojmë kushte për transfer të qetë të pushtetit dhe do të kërkoj përgjegjësi ligjore dhe penale  për strukturat udhëheqëse të MPB-së”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.

DHUNA NË KUVEND, MPB: 8 TË ARRESTUAR DHE 109 TË LËNDUAR

Për dhunën në Kuvend janë arrestuar tetë persona me të cilët edhe më tej po punohet dhe është siguruar video - material për identifikimin dhe zbulimin e autorëve të mundshëm, gjithashtu njoftohet për 109 të lënduar. Sipas MPB-së, në sulmin ndaj Kuvendit kanë marrë pjesë rreth 5 mijë persona.

“Kemi shifër të përgjithshme prej 83 personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, edhe atë 25 nëpunës të uniformuar policorë që kanë qenë të angazhuar me punë, 54 civilë, tre deputetë dhe një gazetar. Tre me lëndime më të rënda janë mbajtur në KARIL, njëri në neurokirurgji dhe njëri me lëndime më të lehta në repartin e plastikës. Në Spitalin “8 Shtatori” janë hospitalizuar gjashtë policë me lëndime më të lehta dhe një gazetar, të cilët janë lëshuar në shtëpi”,- theksoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Jordan Lamanovski.

Me shtabin operativ pranë MPB-së tani udhëheq ministri, Agim Nuhiu, në vend të drejtorit të BSP-së, Mitko Çavkov, i cili deri më tani ishte udhëheqës i shtabit. (Gazmend Rexhepi, TMV2)