Maqedoni

Zaev: Mbrëmë kishte tentativë për vrasje me plan dhe paramendim

28.04.2017 16:59

Dhuna e mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë ishte tentativë për vrasje me plan dhe paramendim...

Dhuna e mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë ishte tentativë për vrasje me plan dhe paramendim, ku të rrezikuar ishin deputetë legjitim të Parlamentit dhe gazetarë të mediave të ndryshme.
 
Kështu deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas të cilit dhuna e mbrëmshme është nxitur nga Gruevski, Ivanovi, Veljanovski, Çavkovi dhe bashkëpunëtorët e tyre që pengojnë transferim të qeverisjes që sjell drejtësi dhe përgjegjësi.
                          
“Ajo mbrëmë ishte tentativë për vrasje me plan dhe paramendim. Ata janë të gatshëm që për qëllime të tyre të sakrifikojnë popullin. Dhuna është rezultat i regjimit në rënie që bën dhunë ndaj Kushtetutës dhe demokracisë. Dhuna mbrëmë ishte test për Maqedoninë dhe qytetarët. Në periudhën që vjen patjetër të tregojmë sa të pjekur jemi si njerëz dhe si shtet. Nuk duhet të biem në provokime që kanë për qëllim ndarje, shkatërrim dhe izolim të Maqedonisë, prandaj u thërras të gjithëve të jeni të qetë. U bë hapi i parë. Është vështirë, pasi kemi punë me njerëz të paparashikueshëm, por jemi së bashku edhe qytetarët, edhe ShBA-të, edhe BE, NATO dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare”,- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ai njëherit kërkoi nga qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të bien pre e provokimeve. Por, pa marrë parasysh dhunën, Zaev tha se me vendimin e djeshëm të shumicës parlamentare për të zgjedhur Talat Xhaferin kryeparlamentar të ri, është bërë hap i madh përpara për proceset demokratike.
 
“Kemi zgjedhur kryetar të ri të Kuvendit, publikisht e uroj kryetarin e ri, Talat Xhaferin. Në periudhën e ardhshme, proceset do të vazhdojnë për formimin e Qeverisë së re reformuese. Dita e djeshme e Kuvendit ishte test për Maqedoninë dhe qytetarët. Duhet të tregojmë në të ardhmen se sa jemi të pjekur si qytetarë dhe shtet. Të nderuar qytetarë, të jemi të qetë, të gjithë të punësuarit të veprojnë sipas kompetencave ligjore dhe kushtetuese”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ai ka ftuar të punësuarit në institucione ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre dhe të veprojnë sipas përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese. Sa u përket personave të dhunshëm të cilët sulmuan deputetët në Kuvendin e Maqedonisë, Zaev tha se i njeh ata. Një pjesë e tyre ishin policë dhe një pjesë tjetër ishin banditë.
 
“Ata u panë se si janë koordinuar me policinë dhe personat e maskuar që nga hyrja deri te vendi ku ishim ne deputetët, dëshmi ka shumë”,- tha Zaev, i cili kërkoi nga institucionet kompetente, gjegjësisht Prokuroria Publike, që t’i ndërmarrë masat e duhura për zbardhjen e rastit. 
 
BESIM ABDULLAI