Dhuna në Kuvend, reagimet ndërkombëtare
Mogherini: Nxirrni vendin nga kriza; Sinas: Urojmë Xhaferin për kryeparlamentar; Eurodeputetët: Të identifikohen sulmuesit; Stoltenberg: Angazhojuni në dialog, e jo në dhunë; Erdogan: Dhuna nuk i zgjidh problemet...

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini, u bëri thirrje edhe një herë të gjithë politikanëve në Maqedoni të respektojnë principet kushtetuese dhe demokracinë, dhe ta nxjerrin vendin nga kriza politike. Sipas Mogherinit, dhuna është e papranueshme, pasi që mund të marrë përmasa serioze.
“Ajo që pamë mbrëmë në Shkup është shumë shqetësuese dhe e trishtueshme. Vlerësojmë se dhuna gjithnjë është e papranueshme, sidomos ajo që ndodh në shtëpinë e demokracisë, në Parlament. Besoj se të gjithë në Shkup duhet të ndjekin principet kushtetuese dhe demokracinë, dhe të përpiqen ta nxjerrin vendin nga kjo krizë e thellë, që mund të bëhet shumë serioze”,- deklaroi përfaqësuesja e lartë për POLITIKË TË Jashtme e BE-së, Federica Mogherini.
Zëdhënësi i KE-së, Margaritis Sinas, në një konferencë për media ka dënuar dhunën, duke uruar Talat Xhaferin për kryeparlamentar.
“Dhuna në Kuvend është totalisht e papranueshme dhe ne bëjmë thirrje për qetësi. Ministria e Brendshme dhe Policia do të duhet të sigurojnë Kuvendin dhe anëtarët e saj. Vlerësojmë pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferit si spiker të Parlamentit. BE është e bindur se dialogu politik në institucione është rruga e vetme për të ecur para. Ne inkurajojmë të gjithë aktorët politikë të respektojnë Kushtetutën e vendit dhe të veprojnë në frymën e parimeve demokratike. IRJM është vend kandidat dhe BE është e gatshme të punojë me Parlamentin për reformat e nevojshme në rrugën euroatlantike”,- tha zëdhënësi i KE-së, Margaritis Sinas.
Kanë reaguar edhe tre ndërmjetësit në zgjidhjen e krizës në Maqedoni, eurodeputetët Eduard Kukan, Knut Flekenshtajn dhe Ivo Vajgëll.
“Aktet e dhunës në Parlament janë sulm ndaj vullnetit demokratik të qytetarëve. Ftojmë për qetësi, ndërkaq MBP të sigurojë Kuvendin, sulmuesit të identifikohen dhe të vërtetohet përgjegjësia politike”,- thonë tre eurodeputetët.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i tronditur nga dhuna në Parlament, ftoi të gjitha palët të bëhen pjesë e dialogut.
“Të gjitha palët duhet të respektojnë procesin demokratik dhe të angazhohen në dialog, e jo në dhunë”,- ka shkruar Stoltenberg në profilin e tij në Twitter.
Kryetari i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i ka vlerësuar si alarmante ngjarjet në Maqedoni, duke shtuar se dhuna nuk i zgjidh problemet.
“Dëshirojmë që në Maqedoninë miqësore dhe vëllazërore sa më shpejt të arrihet paqe dhe stabilitet”,- ka deklaruar Erdogan duke kërkuar që qeveria e re të krijohet mbi principet kushtetuese. (Meral Ismaili, TVM2)
