E vërteta e ngjarjeve të së enjtes, Huliganët sulmuan Kuvendin, askush nuk i ndali
Pritej të ndodhte, por askush nuk kishte parashikuar skenarin e plotë...

Pritej të ndodhte, por askush nuk kishte parashikuar skenarin e plotë në të cilin u zhvillua zgjedhja e kryeparlamentarit të ri të Kuvendit.
Kaosi dhe dhuna ishin kryefjala e ndodhive të së enjtes në shtëpinë ligjvënëse.
Retorika gjatë gjithë ditës, këngët patriotike dhe himnet, bashkë me thirrjet kundër tjetrit, shoqëruan vazhdimin e seancës konstituive deri në orën 18:00.
Më pas gjërat morën tjetër kahje. LSDM kërkoi nga shumica e re parlamentare të aktivizohet, VMRO kundërshtoi ashpër, por në fund Talat Xhaferi u zgjodh me shumicën e nevojshme të votave dhe dha betimin si kryeparlamentar i ri i Maqedonisë.
“Edhe pse në këto rrethana, në këtë moment historik po bëhet zgjedhja e kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit të RM-së, nga mëvetësimi i saj, të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike që kemi, betohemi që punën parësore në punën tonë në parlament do të jetë interesi i qytetarëve të RM-së që të krijohen institucionet përkatëse, të cilat do të funksionojnë mbi bazë të ligjit dhe Kushtetutës”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Pas kësaj, situata eskaloi. Dyert e parlamentit u hapën dhe qytetarët pushtuan shtëpinë ligjvënëse. Deputetët u ngujuan në qendrën e konferencave dhe në zyrat e tyre.
Turma sulmoi deputetë e gazetarë, të inkurajuar edhe nga mosprezenca e policisë në momentin fillestar. Shërbimi i Kuvendit u tregua i pafuqishëm të ndalë dhunën, me gjithë përpjekjet.
Deputetët filluan të mbrojnë njëri-tjetrin, por u sulmuan me gjëra të forta e grushta. Rezultati, liderët e opozitës të përgjakur, Zaev me fytyrë të mbuluar me gjak, Sela përfundoi në spital, edhe deputetë të tjerë dhe forcat e sigurimit nuk kaluan më mirë.
Sulmuesit nuk kursyen as femrat deputete, më keq prej të cilave e pësoi Sheqerinska e LSDM-së.
Organizatorët e sulmit ndaj Kuvendit nuk lejuan daljen nga ai të deputetëve dhe gazetarëve. Situata kaotike zgjati më tepër se katër orë. As ardhja me vonesë e forcave speciale nuk e qetësoi situatën, teksa pamjet filmike tregojnë se ata që duhet të mbronin parlamentin lejonin lëvizjen e papenguar të turmës brenda tij.
Policia më në fund bëri atë që duhet ta kishte bërë që në fillim, mundësoi daljen nga Kuvendi të deputetëve e gazetarëve. Kjo është kronologjia e thatë e asaj që ndodhi në Kuvend, për përgjegjësi do të flitet shumë gjatë në ditët në vazhdim. (Migena Gorenca, TVM2)
