Partitë e shumicës refuzojnë ftesën e Ivanovit
Liderët e partive të shumicës së re parlamentare refuzuan ftesën e kryetarit, Gjorge Ivanov.....

Liderët e partive të shumicës së re parlamentare refuzuan ftesën e kryetarit, Gjorge Ivanov, për një takim liderësh në Presidencë.
AHMETI: IVANOVI ËSHTË PJESË E PROBLEMIT
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev, konsiderojnë se Ivanov është një ndër fajtorët kryesorë për eskalimin e situatës në Kuvend dhe dhunën brutale mbi deputetët e shumicës parlamentare dhe përfaqësuesve të mediave.
“Mendojmë që Ivanovi është pjesë e problemit, nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit. Nuk mendoj që vendimi në kryesi do të jetë që ne t’i përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhet të përdoren mekanizma të tjerë për t’i ul palët, për t’i ul gjakrat në fillim dhe tani të shihet se cilat masa duhet ndërmarrë për veprimet e ardhshme”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
ZAEV: IVANOV ËSHTË NJËRI NGA FAJTORËT E DREJTPËRDREJTË
“Absolutisht jo. As që mendojmë. Gjorge Ivanov është njëri nga fajtorët e drejtpërdrejtë për atë që ndodhi në Maqedoni dhe dhashtë Zoti që ajo kurrë të mos përsëritet. Ai është pjesë e krizës dhe assesi nuk mund të jetë zgjidhja e krizës”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ftesën e Ivanovit për takim liderësh e refuzoi edhe Aleanca për shqiptarët.
GRUEVSKI: DIALOG, ÇDO GJË TJETËR ÇON DREJT KAOSIT
I vetmi që iu bashkëngjit thirrjes së Ivanovit është kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski. Sipas të tij, situata e re kërkon zgjidhje institucionale, në të kundërtën paralajmëron kaos.
“Ftoj që të pranohet nisma e kryetarit Ivanov për takim të udhëheqësve partiakë, për gjetjen e zgjidhjes institucionale në rrugë të qetë pa dëme shtesë për shtetin dhe qytetarët e saj. Vetëm përmes dialogut mund të dilet nga kriza aktuale. Çdo gjë tjetër çon drejt kaosit dhe në dëm të shtetit”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Presidenti Ivanov, në fjalimin e tij, gjatë dhunës në Kuvend, ftoi liderët në takim të përbashkët për të qetësuar situatën dhe për të gjetur zgjidhje. Ai konstatoi shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit gjatë seancës së djeshme kur u zgjodh kryeparlamentari i ri dhe, sipas tij, përgjegjës kryesorë janë deputetët. “Kjo gjendje mund të tejkalohet vetëm përmes respektimit të sistemit juridik të RM-së”,- tha Ivanov. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
