Partitë shqiptare dënojnë dhunën ndaj deputetëve dhe gazetarëve
Partitë shqiptare dënojnë ashpër incidentet që ndodhën mbrëmë në Kuvend....

Partitë shqiptare dënojnë ashpër incidentet që ndodhën mbrëmë në Kuvend, ku protestuesit fizikisht sulmuan deputetët dhe gazetarët.
Nga BDI ngjarjen e mbrëmshme e cilësojnë si një akt i shëmtuar, i cili duhet gjykuar dhe dënuar nga secila parti politike dhe nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u bëri thirrje shqiptarëve që të ruajnë gjakftohtësinë, në mënyrë që ky problem mos të shndërrohet në një konflikt ndëretnik.
“Të dhunosh përfaqësuesit e popullit, të dhunosh tempullin ku qytetarët presin që të prodhohet vlera dhe demokracia dhe të sillesh si vanal është një akt i turpshëm, i dënueshëm dhe me pasoja që rrënon imazhin e Maqedonisë, imazhin qytetarëve të Maqedonisë dhe si një akt i tillë i shëmtuar duhet dënuar. Jemi në koordinim edhe me forcat tjera politike, të shohim për ndërtimin e strategjisë së ardhshme dhe cilat hapa do të ndërmerren drejt vënies në veprim dhe funksion të Parlamentit dhe të ushtrimit të detyrës dhe funksionit të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të RM-së”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sulmi ndaj përfaqësuesve të popullit është sulm ndaj demokracisë dhe si i tillë duhet dënuar, thonë nga Aleanca për Shqiptarët. Sekretari gjeneral i LR-PDSh-së dhunën e ushtruar ndaj kryetarin, Ziadin Sela, e cilëson si sulm ndaj të gjithë etnitetit shqiptar, prandaj ai bën apel që organet kompetente të veprojnë me profesionalizëm dhe të dënojnë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë.
“Me këtë nuk është sulm vetëm ndaj një deputeti, por është sulm ndaj të gjithë shqiptarëve. Dje praktikisht të gjitha institucionet të cilat thirren dhe thuhen se janë institucione në Maqedoni, dështuan, praktikisht edhe policia, me keqardhje do ta konstatoj, se dështoi. Mendoj se do të duhet të dënohen kryerësit e këtyre krimeve, se mund të them që kjo që dje e bënë ishte krim ndaj përfaqësuesve të popullit në Parlament. Të gjithë ata për të cilët kemi incizime, ekzistojnë incizime plot, ka plot fotografi... Shpresoj që së paku tash institucionet që quhen prokurori dhe gjyqësi, të funksionojnë ashtu si duhet”,- u shpreh sekretari gjeneral i LR-PDSh-së, Arben Taravari.
Lëvizja BESA i dënon këto incidente dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit, e veçmas shqiptarëve, të mos bien pre e provokimeve të ndryshme që bëhen nga skenarë tashmë të njohur.
“Lëvizja BESA i dënon këto incidente dhe konstaton se me atë që Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë i lejoi që huliganët e VMRO-DPMNE-së ta sulmojnë institucionin më të lartë ligjdhënës në vend flet se Maqedonia tashmë nuk i ngjan një shteti demokratik dhe aty askush nuk është i sigurt për jetën e tij”-, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes BESA.
Edhe nga Partia Demokratike Shqiptare fuqimisht dënojnë sulmin e mbrëmshëm të ushtruar ndaj deputetëve dhe gazetarëve.
“Partia Demokratike Shqiptare apelon tek shqiptarët që në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë gjakftohtësinë. Apelojmë tek faktori ndërkombëtar që urgjentisht të ndërhyjë me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës”, thonë nga PDSh. (Ersan Pajaziti, TVM2)
