Botë

Meta paralajmëron negociata për krizën: Basha, zgjedhja e Metës pazar politik i mazhorancës

29.04.2017 19:04

Një ditë pasi u zgjodh si President i Shqipërisë nga Kuvendi, Ilir Meta heq dorë nga të gjitha funksionet në LSI...

Një ditë pasi u zgjodh si President i Shqipërisë nga Kuvendi, Ilir Meta heq dorë nga të gjitha funksionet në LSI, duke ia lënë drejtimin e parties ministrit Petrit Vasili. 
 
Ndërkaq, ai bëri të ditur se do të vijojë të jetë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë deri më 24 korrik  deri në ditën e betimit si President, pas çka premtoi se do të angazhohet për negociata me të gjithë faktorët politik përfshi edhe opozitën për siç u shpreh të ardhmen e vendit.
 
"Pas përfundimt të listave të kandidatëve për deputet nga kryesia e LSI heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në LSI. Nuk është detyra dhe obligimi im që të bëj premtime për 4 vitet e ardhshme në emër të LSI, pasi të gjitha këto kompetenca do i kalojnë zotit Vasili dhe forumeve drejtuese të LSI. Në bashkëpunim me presidentin Nishani dhe me opozitën do të dëshiroja, me kryeministrin, me drejtues të tjerë për të kontribuar që vendi sa më shpejt të ketë një proces tërësisht normal dhe gjithëpërfshirës zgjedhor", deklaroi Ilir Meta, president i ri i Shqipërisë. 
 
Ndërkohë, nga çadra e protestës, lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha e ka quajtur  zgjedhjen e kreut të ri të shtetit shqiptar Ilir Meta një pazar politik të mazhorancës. 
 
Sipas kreut të PD-së, zgjedhje e presidentit është kapitulli i fundit i pazarit politik të “republikës së vjetër”.
 
Ndërkohë Presidenti i sapo-zgjedhur, Ilir Meta është shprehur  i gatshëm të takojë nga nesër kreun e PD-së për të gjetur zgjidhje për krizën dhe për të gjetur rrugët e bashkëpunimit, por Basha foli me tone të ashpra duke kërkuar rrëzimin e “republikës së vjetër”, siç quan ai qeverinë aktuale. Basha madje ka  theksuar gjatë fjalës së tij se opozita do vijojë të protestojë për të kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
 
"E dua demokracinë thotë presidenti i sapozgjedhur dhe ja po e shikojmë demokracinë por kjo nuk është demokraci e vërtetë. Pazari me shishet e verës që kushtojnë më shumë se një pension nuk është demokraci e vërtetë, nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe as gjendjen e krizës politike në vend. Akti i fundit i teatrit me kukulla. Republika e vjetër po mbyll turpshëm ekzistencën e saj. Edi Rama ta gëzosh ti atë dhe peshkun e qelbur nga koka" – tha Lulzim Basha, kryetar i PD-së.
 
SEVDIJE METAJ-ZIBERI