Maqedoni

Sulmi në Kuvend, identifikohen 15 persona, 5 në paraburgim

01.05.2017 15:15

Policia ka arrestuar 8 persona si të dyshuar për sulmin ndaj deputetëve në Kuvendit dhe ata janë nxjerrë para Gjykatës Themelore Shkup 1...

Njëri nga të arrestuarit është inspektor në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit. Po ashtu edhe 4 të arrestuar të tjerë janë lënë në paraburgim, një në arrest shtëpiak, ndërsa dy të tjerëve u janë konfiskuar dokumentet personale dhe u është shqiptuar masë e veçantë kujdesi, me qëllim që të mos e braktisin vendin.  
 
Propozimi, theksojnë nga Gjykata, i dedikohet veprës penale “pjesëmarrje në turmë”, që do të pengojë personat zyrtarë në ushtrimin e detyrës zyrtare nga neni 384, paragrafi 1 nga Kodi Penal, për të cilën është paraparë dënim nga një deri në pesë vjet në pajtueshmëri të ligjit, ndërsa duke pasur parasysh që bëhet fjalë për procedurë të shkurtuar, sipas Ligjit të ri për procedurë penale në procedurë paraprake paraburgimi mund të zgjasë më së shumti deri në tetë ditë.
 
Prokuroria deri tani i ka kërkuar MPB-së arrestimin e 15 personave të dyshuar drejtpërdrejt si shkaktarë të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, por 7 prej tyre ende janë të pakapshëm për policinë. Prokuroria po ashtu ka bërë të ditur se mbetet e përqendruar në grumbullimin e materialeve dhe nuk përjashtohet mundësia për arrestime tjera. Ndërsa, sipas MPB-së, i punësuari në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim është i moshës 45 vjeçare dhe ka qenë pjesë e grupit që me përdorimin e forcës fizike dhe kanosjeve kanë shkaktuar dhunë ndaj personave dhe kanë dëmtuar pronë në Kuvend.
 
Ai ka qenë pjesë e grupit që ka sulmuar tre policë nga sigurimi i Kuvendit, e më pas në press sallën e Kuvendit kanë sulmuar edhe disa deputetë, përfshirë liderin e Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela, dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. LSDM ka njoftuar se në mesin e sulmuesve në Kuvend ka pasur edhe drejtorë dhe të punësuar në ndërmarrje publike, udhëheqës sektorësh, të punësuar në MPB dhe shumë të tjerë që marrin paga nga shteti, por edhe kriminelë të rëndë dhe vrasës të njohur për policinë.
 
REXHEP QAMILI