Maqedoni
LSM dhe MPPS paralajmërojnë rritjen e pagës minimale për 20%; Sindikatat që nuk janë pjesë e LSM-së, protestë në Shkup për të drejtat e punëtorëve
01.05.2017 16:02
Analizat e Lidhjes së sindikatave dhe Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale tregojnë se ligjet për pagën minimale duhet të ndryshojnë.
Ministri në largim i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahimi Ibrahimi, thotë se ndryshimet ligjore për pagën minimale do të ndodhin në një afat të shkurt dhe se në konsultim edhe me sindikatat tjera dhe punëdhënësit, rritja duhet të jetë të paktën për 20 për qind.
“Është folur që në prioritet paga minimale të rritet për 20 për qind, sepse analizat që janë bërë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe analizat nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë janë të përputhshme, ashtu që lirisht mund të them që do të dalim me ndryshime ligjore për pagën minimale, ku do të ketë rritje të pagës për 20 për qind”,- deklaroi Ibrahim Ibrahimi nga MPPS.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Zhivko Mitrevski, thotë se rritja e pagës minimale për 20 për qind mund të ndodhë shumë shpejt.
“Pas qetësimit të situatës menjëherë do të realizohet gjithçka që është biseduar në këtë takim. Sigurisht që këtu rol luajnë edhe punëdhënësit dhe duam që edhe prej tyre të dëgjojmë dëshirë për rritje të pagës dhe kjo rritje të mos jetë vetëm 20 për qind por edhe më tepër”,- theksoi kryetari i LSM-së, Zhivko Mitrevski.
Lidhja e Sindikatave dhe Ministria thonë se kanë bërë përpjekje të mëdha që të inkorporojnë pjesë të direktivave europiane ligjore në ligjet e vendit, me qëllim të implementimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e punëtorëve në Maqedoni.
Përderisa Lidhja e Sindikatave vendosi të takojë në ditën e punëtorëve ministrin në largim, disa sindikata që nuk janë pjesë e Lidhjes së Sindikatave organizuan protesta me kërkesën për fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe largimin e politikës nga sindikatat.
“Ne jemi sindikalistë, jemi mbledhur këtu për të festuar festën tonë, si në të kaluarën edhe sot kem organizuar këtë protestë dhe me të vërtetë mund të them se ne jemi fillestarët e parë të lëvizjes së re të sindikatave”,- tha një protestues nga Sindikata e të Punësuarve në Hoteleri dhe Turizëm.
“Maqedonia është një ndër shtetet e rralla që sindikatat dhe drejtuesit e tyre vlerësohen si persona që mbrojnë interesat e pushtetit”,- u tha në protestë.
GAZMEND REXHEPI
