Botë

Maji, protesta në botë, mbi 200 të arrestuar në Turqi

01.05.2017 16:26

1 Maji në Stamboll u shënua me përleshje mes demonstruesve antiqeveritarë e forcave të sigurisë...

1 Maji në Stamboll u shënua me përleshje mes demonstruesve antiqeveritarë e forcave të sigurisë, si dhe me ndalimin e rreth 200 pjesëmarrësve në tubimin e mbajtur në sheshin “Taksim”.
 
Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit. Edhe pse protesta kishte një pjesëmarrje më të ulët se viteve tjera, policia ka njoftuar se janë arrestuar mbi 207 persona dhe janë konfiskuar koktej molotovi e fishekzjarre. Disa media flasin edhe për një të vrarë që u shkel nga makina e policisë, por lajmi nuk është konfirmuar.
 
30 mijë policë u angazhuan për ruajtjen e rendit në Taksim, vendi që është kthyer në vendin e kremtimeve të ditës së punëtorëve që prej vitit 1977, kur dhjetëra persona u vranë gjatë protestave të njohura që prej atëherë si “1 Maji i përgjakshëm”. 
 
Dita e punëtorëve risolli protestat edhe në kryeqytetin grek, Athinë. Mijëra persona u mblodhën përpara ndërtesës së Parlamentit, ndërsa vendi përgatitet për masa të tjera shtrënguese, kërkesë të kreditorëve të huaj. Dy sindikatat më të mëdha organizuan tubime në mbarë kryeqendrën e Greqisë, ndërsa punonjësit e pjesës më të madhe të shërbimeve publike u hodhën në grevë.
 
Në Rusi, 1 Maji ishte ditë feste. Mbi 100 mijë pjesëtarë të Sindikatës ruse të Punës marshuan në “Sheshin e kuq” të Moskës, ku njerëz të të gjitha moshave kishin dalë gjithashtu me flamuj, tullumbace e pankarta në duar.
 
Sindikata e tregtisë “CFDT” ishte ajo që organizoi në Francë protestën kundër udhëheqëses së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Grupe në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të homoseksualëve dolën po ashtu në shesh për të ngritur zërin kundër linjës së ashpër të Le Penit.
 
Për Gjermaninë, 1 Maji, dita që vendos fokusin te tema e drejtësisë sociale, erdhi me thirrjet e shoqatës së sindikatave vendase për një manifestim qendror nën moton “Ne jemi një. Ne jemi shumë”.
 
Në Tajvan pati marshime proteste. Mijëra persona zbritën në rrugët e Taipeit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të punës që po ndjek qeveria aktuale. Me lojëra dhe shfaqje sportive u kremtua kjo ditë në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Penian, ku duket se për një ditë u lanë mënjanë tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet fqinje, të nxitura nga programi bërthamor i vendit komunist.
 
BELINDA KOKA-ADEMI