Maqedoni
LSDM: Xhaferi legjitim, me mbështetje ndërkombëtare; VMRO-DPMNE: LSDM zgjodhi spiker të Platformës së Tiranës
01.05.2017 17:44
Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, është zgjedhur nga shumica parlamentare në mënyrë ligjore...

Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, është zgjedhur nga shumica parlamentare në mënyrë ligjore, legjitime dhe në pajtueshmëri me rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën, ndërsa e ka edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, vlerësojnë nga LSDM-së.
Sipas tyre, vullneti i shumicës së qytetarëve, që u shpreh në zgjedhje kredibile, filloi të realizohet me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, ndërsa do të vazhdojë me formimin e Qeverisë së re reformuese.
“Askush nuk guxon të mendojë ta bllokojë punën e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, që është vepër e rëndë kundërkushtetuese, penale dhe e ndëshkueshme me ligj. Me sjellje të matur, shumica parlamentare e ndaloi tentimin e Nikolla Gruevskit, Gjorge Ivanovit, Trajko Veljanoskit, Mitko Çavkovit, që të shkaktojnë përleshje ndërqytetare, ndëretnike, grusht shtet dhe krijimin e bazës që Ivanov të shpallë gjendje lufte. Vazhdojmë t’i udhëheqim proceset me qetësi dhe maturi. Njëherësh për qetësi u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve. Shumica parlamentare do ta plotësojë obligimin e tij ndaj qytetarëve deri në fund”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së. Nga partia e Gruevskit thonë se është momenti që LSDM-ja të vetëdijesohet dhe të kuptojë se populli për asnjë çmim nuk do të lejojë që të shiten interesat shtetërore dhe kombëtare, dhe se populli e do vendin e vet dhe nuk do të tregtojë me të.
"LSDM-ja, që të vijë në pushtet, jo vetëm që e pranoi Platformën e Tiranës, por ashpër e shkeli Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren për punë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Më 27 prill e abuzoi vullnetin e qytetarëve dhe e pamundësoi të drejtën e diskutimit nga të zgjedhurit e tyre demokratik dhe jashtë të gjithë procedurave u përpoq të zgjedhë spiker të Platformës së Tiranës. Krimineli, Zoran Zaev, jepte urdhra që të shtihet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, jepte urdhra që të shtihet drejt popullit maqedonas, popull i cili i mbron interesat shtetërore dhe kombëtare. Për këtë krimineli, Zoran Zaev, duhet të përgjigjet”,- thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.
Sipas tyre, LSDM-ja duhet të përgjigjet, për shkak se dhunën politike që e zbatoi, rezultoi edhe me dhunë fizike.
SANIJE DURAKU
