Maqedoni
JI: Shumica të propozojë Qeveri dhe program qeveritar; Xhaferi: Të rikthejmë Kuvendin në funksion; Ivanov: Pengesa për mandatin, e kapërcyeshme
01.05.2017 18:35
Vizita e zёvendёsndihmёs sekretarit të shtetit pёr Europё dhe Euro-Azi të ShBA-ve, Hojt Brajan Ji, po rezulton me efekte shumëdimensionale...

Pasi legjitimoi në vepër kryeparlamentarin e ri Talat Xheferin, Hojt Brajan Ji shtyu edhe presidentin Ivanov që të ndryshojë qëndrimin për ndarjen e mandatit.
Por, si e vlerëson Ji vizitën e tij dyditore në Shkup dhe cili është mesazhi për opinionin?
“Interesi i ShBA-ve në këtë rajon, në Ballkan dhe në Maqedoni, mbetet që të mbështesë fuqishëm integrimin e rajonit, Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe NATO. Ky proces apo dinamika e integrimit në vitet e fundit ka ngecur. Besojmë se është shumë me rëndësi që liderët e partive politike të gjejnë një rrugë për të përfunduar krizën politike. Inkurajojmë liderët politikë që të gjejnë një rrugë që shumica në Kuvend të propozojë një Qeveri dhe një program qeveritar”,- deklaroi zëvendësndihmёs sekretari i shtetit pёr Evropё dhe Euro-Azi i ShBA-ve, Hojt Brajan Ji.
Ji është zyrtari i parë i cili u prit nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, në hapësirat e Kuvendit, pas zgjedhjes së tij ditën e enjte.
Takimi Xhaferi-Li dëshmoi edhe në vepër qëndrimin e ShBA-ve, se Shtëpia e Bardhë pranon për legale dhe legjitime vazhdimin e seancës nga ana e shumicës parlamentare ku u zgjodh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Patëm mundësinë që të këmbejmë mendime rreth nevojës për angazhim gjithëpërfshirës të aktiviteteve të kryetarit të Parlamentit që të mund të rikthehet stabiliteti dhe funksionaliteti i Parlamentit konform përcaktimeve ligjore dhe të Rregullores së punës së Parlamentit. S’do mend që këmbyem mendime rreth të gjitha sfidave me të cilat pritet të ballafaqohemi në aktivitetet e mëtejshme. Kam siguruar që si kryetar Parlamenti do të jem kryetar i të gjithë deputetëve në Parlament, pa marrë parasysh përkatësinë politike të tyre apo etnike dhe pa marrë parasysh faktin e deklarimit të tyre pro ose kundër zgjedhjes sime për kryetar Parlamenti. Në këtë moment shfrytëzoj mundësinë që të gjithë atyre që në trazirat e 27 prillit u lënduan, u dëmtuan, të kurohen sa më shpejtë dhe t’u kthehen familjeve të tyre, aktiviteteve të tyre dhe t’i kthehen punës së tyre në Parlament dhe në familje”,- theksoi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Xhaferi tha se do të thërrasë seancë në harmoni me kompetencat që ka sipas Rregullores dhe se nuk frikohet për sigurinë e tij nga qytetarët, pasi ai është deputet i zgjedhur nga qytetarët.
Vizita e përfaqësuesit të lartë të ShBA-ve ka zbutur edhe qëndrimin e presidentit Ivanov, i cili fillimisht tha se nuk kishte as kohë për t’u takuar me të.
Në kumtesën e Presidencës thuhet se gjatë takimit presidenti ka thënë se pengesa për ndarjen e mandatit është e kapërcyeshme.
“Presidenti Ivanov nënvizoi se nëse ekziston lidership i vërtetë nga ana e kryetarëve të partive parlamentare, pengesa juridike dhe politike për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë është e kapërcyeshme”,- thuhet në kumtesë.
Kryetari maqedonas ka kërkuar nga ShBA-të që të ndihmojnë në heqjen e pengesave dhe të mundësohet që shumica parlamentare ta merr mandatin.
Ai ka ftuar liderin e LSDM-së që së bashku me partnerët e koalicionit të shkojnë te ai dhe t’i japin garanci për përforcimin e shtetit unitar, në harmoni me Kushtetutën e RM-së.
Zëvendëssekretari Ji u takua edhe me kreun e LSDM-së dhe atë të VMRO-DPMNE-së. Takimi me Zaevin u realizua në Kuvendin Republikan, ndërsa ai me Gruevskin në Klubin e deputetëve.
Kreu i LSDM-së e ka njoftuar z. Ji se kryeparlamentari i ri do ta njoftojë presidentin Ivanov se ekziston shumicë e re parlamentare dhe se Ivanov është i detyruar me Kushtetutë që ta ndajë mandatin dhe mundësojë transfer të qetë të pushtetit.
SHPËTIM NUREDINI
