Xhaferi: Do t’ia kërkoj Ivanovit mandatimin e Zaevit

02.05.2017 11:54

Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, pritet që sot t’ia dërgojë kërkesën presidentit, Gjorge Ivanov....

Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, pritet që sot t’ia dërgojë kërkesën presidentit, Gjorge Ivanov, për t’ia ndarë mandatin liderit socialdemokrat, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re.

Procedura parasheh që kryeparlamentari ta njoftojë presidentin se ekziston shumicë në Kuvend prej 61 deputetësh dhe presidenti më pas të ndajë mandatin të nominuarit nga shumica për kryeministër.

LSDM: VELJANOVSKI T’IA LIROJË KABINETIN XHAFERIT

Ndërkohë, LSDM kërkoi që ish-kryeparlamentari, Trajko Veljanoski, të mundësojë që kryetari i ri i Kuvendit të hyjë në kabinetin e tij në mënyrë që të vazhdojnë proceset demokratike, ndërsa shumica në Kuvend të formojë qeverinë.

"Kryetar i ri i Kuvendit është Talat Xhaferi, me të cilin, siç kumtoi zëvendësndihmës sekretari shtetëror i ShBA-së për Europë dhe Euro-Azi, Hijt Brajan Ji, do të punojnë edhe ShBA-të, por edhe BE-ja, NATO-ja dhe Berlini zyrtar. Kryetari i ri legjitim i Kuvendit do t'i dërgojë njoftim Gjorge Ivnaovit se është formuar shumica legjitime demokratike dhe se Ivanov është i obliguar t'ia ndajë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaevit, për formimin e Qeverisë",- thuhet në kumtesë. Ivanovit do t'i shpaloset edhe një herë se ekziston program i qeverisë së re reformuese që në tërësi e garanton unitaritetin e Maqedonisë, punon sipas Kushtetutës dhe perspektivave euroatlantike të shtetit, me çka do të thyhen të gjitha argumentet e pamatura të Ivanovit.

VMRO-DPMNE: LSDM SHKELI PROCEDURËN PËR KRYEPARLAMENTARIN

Por, nga VMRO vazhdojnë të deklarojnë se LSDM e zgjodhi kryeparlamentarin jashtë çdo procedure në seancë kuvendore, që ishte mbyllur pa procesverbal zyrtar, pa stenogram, pa të drejtë për fjalë nga deputetët. Një presedan i këtillë, sipas partisë së Gruevskit, hap mundësinë që në të ardhmen, në mënyrë joligjore, të hapet procedurë e këtillë dhe në këtë mënyrë të votohet për dygjuhësi, bankënotë shqiptare, uniforma dygjuhësore, gjenocidin dhe të gjitha elementet e Platformës tiranase.