ShBA aktivizon “Thaad”-in, kritika nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut
Shtetet e Bashkuara kanë aktivizuar sistemin anti-raketor “Thaad” në Korenë e Jugut....

Shtetet e Bashkuara kanë aktivizuar sistemin anti-raketor “Thaad” në Korenë e Jugut, një lëvizje e cila ka shkaktuar reagim të ashpër nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut.
Pajisja e sofistikuar tashmë mund të interpretojë raketat e ndryshme të koreano-veriorëve, por ende duhen pak javë deri në aktivizimin e kapaciteteve të saj të plota.
Lëvizja e sistemit nuk është pritur mirë nga Moska dhe Pekini. Dy superfuqitë botërore kanë shprehur shqetësimin se sistemi “Thaad” është mjaft i ekzagjeruar për t’u mbrojtur nga Koreja e Veriut.
Sipas tyre, pajisja anti-raketore mund të ndërhyjë në një rreze shumë herë më të gjerë dhe mund të përdoret për të grumbulluar informacion në lidhje me hapësirën ajrore të vendeve të tjera.
Nga ana tjetër, një deklaratë e pritshme ka ardhur edhe nga Peniani. Zyrtarët e shtetit diktatorial janë shprehur se ky është veprimi i radhës provokues që vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe se Uashingtoni po rrezikon që të sjellë një konflikt bërthamor mes palëve.
Situata në gadishullin korean është përshkallëzuar ndjeshëm në muajt e fundit. Koreja e Veriut ka testuar vazhdimisht raketa balistike, veprime që janë kritikuar nga ShBA.
Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar as mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake të karakterit parandalues, ai madje është shprehur i gatshëm edhe për një takim me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në rrethanat e duhura. (Leunora Kaliqi, TVM2)
