Maqedoni

PE: Liria e mediave në Ballkan, e rrezikuar

02.05.2017 13:54

Politizimi, moszbatimi i ligjeve, frikësimi i gazetarëve dhe rritja e vetëcenzurës janë problemet kryesore me të cilat përballen mediat e Ballkanit Perëndimor...

Politizimi, moszbatimi i ligjeve, frikësimi i gazetarëve dhe rritja e vetëcenzurës janë problemet kryesore me të cilat përballen mediat e Ballkanit Perëndimor, thuhet në raportin vjetor të Qendrës për Hulumtime të Parlamentit Europian, të publikuar në prag të Ditës së lirisë së mediave, 3 Majit.
 
Frikësimi i gazetarëve vlerësohet si gjithëpërfshirës, e kjo dëshmohet edhe me mosdënimin e atyre që kanë kryer sulme ndaj gazetarëve. Për Maqedoninë, potencohet se një pjesë e mediave janë në pronësi të individëve të afërt me qeverinë. Pagat e ulëta dhe kontratat e paqëndrueshme janë një tjetër problem i cekur në raport.
 
“Parlamenti Europian dënon ashpër presionin politik dhe vetëcenzurën e përhapur, si dhe kërkon nga vendet angazhim më të madh për të siguruar hapësirë të sigurt mediatike, që do të garantojë informim të drejtë dhe të barabartë, si dhe kërkon një sistem efikas drejtësie”,- thuhet në raport.  
 
Sipas raportit, vetëcenzura shkaktohet nga ndikimet që variojnë nga ato më subtilet deri te ndikimet e hapura dhe një gjë e tillë rëndon gazetarinë cilësore, duke favorizuar atë që raporti e cilëson si “tabloizim”.
 
“Pagat e ulëta të gazetarëve, të cilat edhe si të tilla nuk paguhen gjithnjë në kohë, sigurimi i dobët në vendin e punës, punësimet me kontrata lehtësisht të anulueshme dhe punësimet pa kontrata, paraqesin presion dhe i shtyjnë gazetarët në vetëcenzurë, cenojnë pavarësinë e medieve, informimin e drejtë dhe të barabartë, dhe favorizojnë “tabloizimin”,- potencohet në raport.
 
PE potencon se liria e mediave është vlera kryesore e Bashkimit Europian, është themel i demokracisë dhe një ndër prioritetet e zgjerimit të Unionit. 
 
Sipas raportit: “Vendet kandidate edhe më tej përballen me mangësi sistemore për tejkalimin e të cilave nevojiten përpjekje të vazhdueshme edhe afatgjata, të cilat viteve të kaluara kanë mbetur në vend duke krijuar një situatë ku vendet nuk shënojnë asnjë përparim”. 
 
Në raportin e fundit të “Reporterëve pa kufij”, Maqedonia u radhit në vendin e 111 ndër 180 vende të botës.
 
REXHEP QAMILI