Maqedoni

Zhvillimi i barabartë rajonal, 110 mln denarë për 19 projekte infrastrukturore

02.05.2017 15:39

Byroja për Zhvillim Rajonal nënshkroi kontratat për 19 projektet më të mëdha për zhvillimin e barabartë rajonal...

Byroja për Zhvillim Rajonal nënshkroi kontratat për 19 projektet më të mëdha për zhvillimin e barabartë rajonal, në vlerë prej 110 milionë denarësh, e që duhet të realizohen brenda 2017-s.
 
Shumica e projekteve ndahen për infrastrukturë, pjesa më e madhe e të cilave do të shkojnë për rajonin verilindor si më i pazhvilluari, e më pak mjete janë për rajonin e Shkupit.
 
“Fjala është për 19 projekte më të mëdha për zhvillimin e qendrave planore në vlerë prej 125 milionë denarësh, 23 projekte do të financohen për  zhvillimin e nevojave specifike zhvillimore, 36 milion denarë, dhe 18 projekte për zhvillimin e fshatrave, në vlerë prej 17 milionë denarë”,- deklaroi ministrja e Pushtetit Vendor, Shirete Elezi.
 
“Përqindje më të madhe të mjeteve financiare përfiton rajoni verilindor, ku përfshihet Kumanova dhe Likova, ndërsa më pak merr rajoni i Shkupit, i cili është më i zhvilluar. Nga gjithsej 19 projektet e financuara, pjesa më e madhe e projekteve janë nga sfera e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit, sistemi i kanalizimit, si dhe nga fusha e mjedisit jetësor dhe dokumentacioni teknik”,- tha drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, Xhemail Elmazi.
 
Këtë vit, me mjete nga buxheti i Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal do të financohen 60 projekte në 8 rajone, për të cilat tashmë janë siguruar gjithsej 227 milionë denarë bashkë me biznes-qendrat dhe bashkëfinancimin e qëndrueshmërisë së qendrave planore, si dhe 19 projektet e sotme janë pjesë e këtyre 60 projekteve.
 
Nga viti 2009 e deri sot, nga programi për zhvillim të barabartë rajonal janë financuar gjithsej 560 projekte, të cilat arrijnë vlerën në mbi 1 miliard denarë.
 
GAZMEND KURTISHI