Maqedoni

Kryetarëve të komunave u skadon afati, MPV ende pret prononcimin e Kushtetueses

02.05.2017 16:43

Ende askush nuk e ka të qartë se si do të funksionojë pushteti vendor pas dy javësh...

Ministrja e Pushtetit Lokal thotë se resori që ajo drejton ka bërë gjithçka që ka në dorë, ka informuar qeverinë e ka ngritur grupe pune.
 
Elezi pret ende përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese për iniciativat e ngritura përmes të cilave kërkohet mënyra e heqjes së dy neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe të Kodit zgjedhor, përmes të cilave funksionarëve lokalë do t’u mundësohej të qëndrojnë në postet e tyre deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.
 
“Pasi tashmë kaloi afati për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në 6 mars, ne iu drejtuam Ministrisë së Drejtësisë, prej ku morëm përgjigje se mandati i këshillave ekzistues, organeve komunale dhe kryetarëve të komunës është deri në mesin e muajit maj. Ne si ministri bëmë gati informacionin e përgatitur profesionalisht nga sektori i drejtësisë dhe e kemi dorëzuar deri tek qeveria. Është marrë edhe vendim që të formohen grupe pune, të njëjtat janë formuar e në to bëjnë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Vendor, Ministrisë së Drejtësisë, Bashkësisë së Njësive të Vetëadministrimit Lokal dhe njëzëri vendosëm që të dorëzojmë iniciativa deri tek Gjykata Kushtetuese dhe presim prej atje të prononcohen”,- deklaroi ministrja e Pushtetit Vendor, Shirete Elezi.