Maqedoni

Dita Botërore Kundër Astmës, në Maqedoni rreth 100 mijë të sëmurë

02.05.2017 17:01

Në Maqedoni numri i atyre që vuajnë nga astma është prej 80.000 deri në 100.000...

Mjekët alarmojnë se pacientët e rinj janë gjithnjë e më shumë në numër. Sëmundjen e shkakton edhe ndotja gjithnjë e më në rritje e ajrit, si dhe alergjitë e ndryshme. Vetëm gjatë katër muajve të parë të 2017-s janë regjistruar 1.521 të sëmurë nga astma, por edhe pse numri rritet, Klinika për pulmologji nuk ka kapacitet për t’i pranuar në spital të gjithë pacientët.
 
“Kapaciteti i shtretërve është i pamjaftueshëm, gjithsej posedojmë 48 shtretër, që është i pamjaftueshëm për t’u shtrirë në spital gjithë të sëmurët me problem sekundar të kësaj natyre, nuk kemi mundësi t’i hospitalizojmë të gjithë, por së paku t’i pranojmë në këto 4-5 ambulancat tona. Numri i kontrolleve nëpër ambulanca është rritur, me gjithë atë numri i personave të hospitalizuar gjatë 5 viteve të fundit stagnon”,- deklaroi drejtori i Klinikës për pulmologji dhe alergologji, Biserska Jovanovka – Qaeva.
 
Terapia të cilën e pranojnë të sëmurët në Maqedoni jep fryt, e njëjta  përdoret edhe në vendet më të zhvilluara, thonë mjekët, duke apeluar se nëse terapia merret rregullisht sëmundja nuk përbën pengesë. 
 
“Pacientët për të pasur efekt duhet t’i marrin rregullisht këto barna dhe në asnjë mënyrë të mos i ndërpresin pa konfirmimin e mjekëve, sepse kështu ndodh shpesh, kur fillojnë të ndihen më mirë e ndërpresin terapinë, ndërsa këto ndërprerje vetëm se e përkeqësojnë përsëri gjendjen e pacientit”,- tha mjekja, Gorica Breshkovska.
 
Sipas tyre, në 10 vitet e fundit, që kur ka filluar të përdoret terapia meinhalatore, nuk është shënuar status astmatikus, që është pasqyra më e rëndë klinike e të sëmurëve me astmë, të cilët në të kaluarën kanë ndërruar jetë. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU