Maqedoni
Xhirimet e kamerave të Kuvendit, MPB identifikoi ata që hapën dyert më 27 prill
02.05.2017 17:13
Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar në Prokurorinë Publike tri raporte shtesë lidhur me zbulimet që dalin nga monitorimi i kamerave të brendshme të Kuvendit...

Përmes një komunikate me shkrim, MPB sqaron se nga mbikëqyrja e video-materialeve nga kamerat e sigurisë në Kuvend janë identifikuar disa persona të cilët kanë marrë pjesë në heqjen e bllokadës së vendosur më herët në derën nga pjesa e brendshme e hyrjes kryesore në ndërtesën e Kuvendit.
“Pasi u shqyrtuan disa pamje të reja nga kamerat e sigurisë të vendosura në Parlament, janë identifikuar fytyra të reja, të cilët kanë thyer bllokadën e vendosur në derën kryesore në ndërtesën e Parlamentit. Pas akuzave penale për 15 persona të dyshuar për krime të kryera për pjesëmarrje në turmë, e cila do të pengojë kryerjen e punëve zyrtare dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, SPB - Shkup vazhdon të marrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të ngjarjes që u shkaktua në Parlament më 27 prill”,- thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore lëshoi urdhëresë për kapjen e të gjithë 15 personave për të cilët ka dyshime se kanë kryer krime të lartpërmendura dhe më 30 prill 8 persona u privuan nga liria.
Gjykatësi i procedurës paraprake më pas caktoi masën e paraburgimit tetëditor për pesë persona, për një person është caktuar arrest shtëpiak, ndërsa për dy persona të tjerë është caktuar masa e kujdesit, bëjnë të ditur nga SPB - Shkup.
GAZMEND REXHEPI
