Maqedoni

Porositë e Hojt Ji, Bilalli: shkëndija në Maqedoni ndez rajonin

02.05.2017 17:47

Porositë e diplomatit amerikan, Hojt Brajan Ji, nga njohësit e çështjeve politike në vend vlerësohen si konfirmim se bashkësia ndërkombëtare e njeh shumicën e re parlamentare...

Porositë e diplomatit amerikan, Hojt Brajan Ji, nga njohësit e çështjeve politike në vend vlerësohen si konfirmim se bashkësia ndërkombëtare e njeh shumicën e re parlamentare, kryeparlamentarin e ri, Talat Xhaferin, dhe presin që shumicës së re parlamentare t’i lejohet formimi i qeverisë.
 
Sipas profesorit universitar, Mersel Bilallit, ShBA-të janë të vetëdijshme se Maqedonia është rrezik rajonal që nuk guxon të dalë nga kontrolli si e tillë, pasi që mund ta ndez të gjithë rajonin. 
 
“Objektivisht, pra gjithmonë, vërtetohet konstatimi dhe analiza, të cilat i kanë strukturat amerikane, se në Maqedoni pra gjendja mund të eskalojë në përmasa jo vetëm të brendshme, por rajonale, që është jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme për rajonin, veçanërisht kur e dimë se vendet përreth, pra përveç Serbisë, janë vende anëtare të NATO-s. Është rrezik rajonal që nuk guxon të dalë nga kontrolli si i tillë, pasi që mund ta ndez të gjithë rajonin”,- deklaroi profesori universitar, Mersel Bilalli.
 
Por, Bilalli e vlerëson si lojë kërkesën e presidentit Ivanov, që ShBA-të të ndihmojnë në tejkalimin e pengesave për dhënien e mandatit. Presidenti kërkon të mbulojë presionin që i bëhet pikërisht për të mos e dhënë mandatin, thotë Bilalli. Ai nuk sheh asnjë ndryshim në deklaratat e fundit të VMRO-së, përveç frikës së vazhdueshme se tashmë po humbasin pushtetin.
 
“Është taktizim momental në rend të parë për zvarritjen e situatës, mos të bie në sy se drejtpërsëdrejti është duke lëshuar pe nga presioni amerikan dhe të mos ndeshet me strukturën e vetë të brendshme partiake. Tash rrezikun më të madh Gruevski e ka brenda strukturës së vetë partiake të cilën tashmë me siguri do të kërkojë ndryshime kadrovike, sepse janë të vetëdijshëm se me këtë lider më e kanë vështirë të ndeshen në zgjedhje”,- tha profesori universitar, Mersel Bilali.
 
Analistët presin që nga mesi i muajit maj të formohet qeveria e re, e brenda kësaj periudhe janë të mundshme taktizime të vogla nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe simpatizantëve të saj, por jo edhe konflikte të përmasave të mëdha.
 
Sipas analistëve, ndjekjet penale ndaj personave të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjet e tmerrshme të 27 prillit kanë dhënë efektin e vet.
 
SANIJE DURAKU