Maqedoni

Hahn me mesazh të qartë: U sulmuan forcat pro BE-së, rrezikoni rekomandimin

02.05.2017 17:35

Komisioneri europian për zgjerimin, Johanes Han, vlerëson se sulmi në Kuvendin e Maqedonisë...

Komisioneri europian për zgjerimin, Johanes Han, vlerëson se sulmi në Kuvendin e Maqedonisë, nëse përsëritet, mund të rrezikojë shansin për nisjen e negociatave me BE-në.
 
Për gazetën austriake “Standard”, Han është shprehur se zhvillimet e fundit do të jenë alarm zgjimi për Maqedoninë që të ec para në proceset eurointegruese.
 
“Nuk kam pritur një sulm të tillë ndaj Kuvendit, por fatkeqësisht gjërat ndonjëherë shkojnë mbrapsht. Në Kuvend u sulmuan ata të cilët angazhohen për procesin europian. Do të ishte e padrejtë nëse themi se me këtë ka përfunduar perspektiva e anëtarësimit. Përkundrazi, shpresoj se zhvillimet do të jenë alarm për zgjim. Nëse përsëriten, atëherë rrezikohet perspektiva europiane”,- u shpreh Han.
 
PE: Xhaferi të nis punën, Ivanov të mos i pengojë proceset demokratike
 
Edhe eurodeputetët, Eduard Kukan, Knut Fllekenshtajn dhe Ivo Vajgël, nga Parlamenti Europian kërkojnë nga kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, që menjëherë ta vë në funksion kuvendin dhe të formohet qeveri e re.
 
“Ne e kuptojmë se kryeparlamentari i ri do ta informojë presidentin Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe të njohë se lideri i shumicës do të lejohet të formojë Qeveri pa prolongime të mëtejme. Ne presim që kjo do të çojë në zgjedhjen e kryeministrit të ri gjatë dy javëve të ardhshme. I bëjmë thirrje Ivanovit të respektojë vullnetin e Kuvendit dhe të ndalet së penguari rrugën demokratike dhe dëshirën e qytetarëve të vendit për të parë fund të krizës”,- thanë eurodeputetët.
 
Pas dy shtyrjeve në mars dhe në prill, këtë javë duhej të votohej rezoluta e PE-së për Maqedoninë, autor i të cilit është Vajgël, por kjo nuk do të ndodhë. Eurodeputeti Vajgëll ka propozuar që rezoluta të vihet në rend të ditës në Parlamentin Europian kur situata në Maqedoni do të normalizohet dhe do të vijë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
 
Në rezolutë bëhet fjalë për reforma të cilat duhet ta afrojnë Maqedoninë deri te bisedimet për anëtarësim në BE. 
 
MERAL ISMAILI