Maqedoni

Shqipëri, ambasadorja gjermane: Do t’i njohim zgjedhjet edhe pa PD-në

02.05.2017 17:56

Gjermania do t’i njohë zgjedhjet e 18 qershorit në Shqipëri edhe nëse Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk marrin pjesë në to...

Kjo deklaratë publike bëhet ndërkohë që në takime të ambasadorëve të tjerë me politikanët shqiptarë theksohet nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën.
 
Por, ambasadorët, ashtu siç konfirmuan pak ditë më parë edhe përfaqësuesit e partive të vogla, kanë theksuar se mospjesëmarrja e disa partive në zgjedhje do ishte vetëm një rresht në raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet.
 
“Sikurse u konstatua dhe nga ministri i Jashtëm federal, zoti Gabriel, përpara dy javësh, ne shpresojmë shumë që zgjedhjet të mund të zhvillohen në datën që është dekretuar dhe nga presidenti i Republikës. Shpresojmë që në këtë proces të marrin pjesë sa më shumë parti politike që të jetë e mundur. Nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë t’i mbeten qëndrimit të tyre për të mos marrë pjesë, ky do të jetë një vendim i trishtueshëm për ne. Por, ne do t’i njohim këto zgjedhje”,- deklaroi ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz.
 
LULJETA NDOKA