Maqedoni
Veljanovski nuk e dorëzon detyrën, Xhaferi kërkon kushte për punë nga sekretari, Denkovski pret shpalljen në Gazetën Zyrtare
02.05.2017 18:06
Ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, refuzon t’ia dorëzojë detyrën kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferit...

Madje, ai së bashku me kreun e VMRO-DPMNE-së dhe deputetët e koalicionit të kryesuar nga kjo parti kishin uzurpuar zyrën e kryeparlamentarit deri në orën 16. Mirëpo, nga shumica e re parlamentare thonë se zyra e kryeparlamentarit nuk paraqet institucionin, por kryetari është ai që përfaqëson Kuvendin.
Xhaferi ka kërkuar nga shërbimet e Kuvendit që t’i mundësojnë kushte për punë.
“Kryetari i ri i nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend për t’ia mundësuar punën e tij në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të RM-së. Udhëzimet janë të dërguara deri te sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, janë të arkivuara me numër arkivi dhe të protokolluara në përputhje me Rregulloren dhe Ligjin, dhe jemi në pritje të realizimit të asaj urdhërese, udhëzimit të kryetarit të Kuvendit. Kemi marrë përgjigje nga sekretari i përgjithshëm i cili kërkon që vendimi për shpalljen e kryetarit të ri të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare dhe më pastaj ai do veprojë në përputhje me kërkesat e kryetarit të ri”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Por, deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhdojnë ta kontestojnë zgjedhjen e kryetarit të ri. Sipas tyre, zgjedhja është bërë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe paraqet precedencë.
“Partitë politike, pa marrë parasysh nëse janë në pushtet apo opozitë, duhet të kenë parime. Ato duhet të bazohen në Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore, nëse duam që Maqedonia të jetë shtet stabil, i cili do të përparojë dhe do të jetë në interes të qytetarëve. Çdo hap në drejtim të demonstrimit të dhunës politike, pa respektuar këto parime, vetëm se do të zgjasë krizën politike dhe kjo nuk është në interes të shtetit dhe qytetarëve”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Në ndërkohë vazhdon sanimi i hapësirave të Kuvendit të cilat u dëmtuan nga trazirat e 27 prillit. Pas krijimit të kushteve për punë, kryetari i ri do të thërrasë takim koordinues dhe seancë plenare.
SHPËTIM NUREDINI
