Botë

Sulm kamikaz në Kabul, 8 të vdekur, 28 të lënduar, cak konvoji i NATO-s

03.05.2017 14:40

Tetë persona mbetën të vdekur dhe së paku 28 të lënduar gjatë një sulmi vetëvrasës në Kabul të Afganistanit...

Sulmi kishte cak një kolonë të transportuesve të blinduar të personelit i cili është në përdorim të misionit të NATO-s, ndërsa ndodhi në orët e mëngjesit në kohën dhe vendin kur komunikacioni është i ngarkuar në Kabul. Shumë vetura të cilat ishin në afërsi të kovojit u shkatërruan.
 
"Tetë persona janë viktima të ngjarjes, ndërsa 25 civilë u lënduan. Cak i sulmit vetëvrasës ishte konvoji i forcave ndërkombëtare i cili kalonte në atë pjesë të qytetit, ndërsa vetëm një nga veturat e tyre pjesërisht u dëmtua”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Najib Danish. 
 
Por, dëshmitarët thonë se edhe pse sulmi kishte cak ushtrinë, dëmet më të mëdha i pësuan civilët të cilët u lanë edhe pa mbrojtje, pasi amerikanët u munduan të shpëtojnë veten.
 
"Kur arritën dy tanke amerikane këtu, sulmuesi vrapoi drejt tyre dhe ndodhi shpërthimi, unë ika me biçikletën time, ndërsa u larguan edhe tanket amerikane duke i lënë pasojat më të mëdha tek civilët”,- theksoi dëshmitari okular, Sham-Ul-Haq.
 
Të lënduarit menjëherë u dërguan në spital për trajtim mjekësor, por gjendja e rëndë e disa prej tyre mund të rrisë numrin e viktimave. 
 
"Për fat të keq, të lënduarit të cilët i kemi pranuar në spital janë në gjendje kritike shëndetësore, ndërsa mjekët tanë janë duke punuar në shpëtimin e jetëve të tyre”,- deklaroi përgjegjësi i spitalit, Mohibullah Zeer.
 
Transportuesit e blinduar të personelit të forcave ndërkombëtare, të cilat janë të bëra të përballojnë shpërthime të mëdha, ishin në gjendje të kthehen në bazë. Sulmi vjen pas kërcënimit të talebanëve gjatë javës së kaluar për ofensivën pranverore, e cila do të ketë cak forcat ndërkombëtare. 
 
LEUNORA KALIQI