Anulohet seanca për “Shuplakat”, Gruevski në sallë, munguan 5 të akuzuarit e tjerë
Mungesa e pesë të akuzuarve në Rastin “Shuplakat”....

Mungesa e pesë të akuzuarve në Rastin “Shuplakat”, e porositur për kryetarin e komunës Qendër, rezultoi me anulimin e seancës, njofton TVM2.
Prokurori, Gavrill Bubevski, kërkoi nga gjykata që të gjithë të akuzuarit që nuk do arsyetojnë mungesën të merren me forcë nga policia.
Këtë e kundërshtuan avokatët të cilët thanë se disa e kanë arsyetuar mungesën paraprakisht, ndërsa disa të tjerë ndoshta mungojnë shkaku i arsyes shëndetësore. Në sallë ishin të pranishëm: ish-ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakieski, Daniela Rangellova dhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili si zakonisht arriti me vonesë dhe hyri nga dera e pasme për t’i shmangur gazetarët.
ZHERNOVSKI: GRUEVSKI FSHIHET PAS GJYQËSISË SË PARTIZUAR
Kreu i komunës Qendër, Andrej Zhernovski, tha se Nikolla Gruevski mund të jetë i guximshëm vetëm pas telefonatave, ndërsa realisht është frikacak dhe fshihet pas gjyqësisë së partizuar.
“Këto janë çastet e fundit të Nikolla Gruevskit, besoj çastet e fundit të Gjykatës së politizuar. Ky gjykim është dëshmi se nuk është e vërtetë ajo që e ka thënë në opinion se asnjëherë nuk ka ftuar për dhunë, sepse opinioni mundej qartë të vërtetojë si është Nikolla Gruevski. Shpresoj se e drejta do të fitojë, se do të dënohet ai dhe të gjithë ata që i ndihmojnë në këto krime, sepse pa sanksionim nuk mund të shpresojmë se do të dalim nga kriza në të cilën ndodhet Maqedonia”,- deklaroi kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
Prokuroret, Katica Janeva dhe Fatime Fetai, nuk ishin prezente për shkak të një udhëtimi zyrtar dhe në vend të tyre Prokurorinë Speciale e përfaqësuan Gavrill Bubevski dhe Trajçe Pelivanov. Prokurorët e Speciales përsëri kërkuan video incizimin e seancës së parë gjyqësore për të cilën kishin disa vërejtje, por gjykatësja, Tatjana Mihajllova, u tha se ai incizim është për nevojat e gjykatës dhe nuk do tua dorëzojë prokurorëve.
Seanca e radhës është caktuar më 28 qershor. (Sanije Duraku, TVM2)
