Maqedoni
Kriza, ekspertët presin obstruksione, por ka mekanizma për dalje nga ajo
03.05.2017 15:01
Kryeparlamentari i ri, Talat Xhaferi, vetëm njofton presidentin e shtetit se është siguruar shumica parlamentare...

Kryeparlamentari i ri, Talat Xhaferi, vetëm njofton presidentin e shtetit se është siguruar shumica parlamentare, vlerëson eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadiu. Në emisionin “Argument” në TVM2, Kadriu thotë se ky është hapi i parë për të lëvizur procesin, më pas përgjegjësia për dhënien ose jo të mandatit i mbetet presidentit.
“Me njoftimin dy sende duhet të ceken, jo të kërkojë nga kryetari besimin e mandatit, kryetari i parlamentit nuk mund të obligojë kryetarin e shtetit, ai e njofton vetëm për dy çështje: është zgjedhur kryetari i Parlamentit dhe nën dy se është siguruar shumica parlamentare. Më tutje vetë e di kryetari i shtetit se çka duhet të bëjë. Atë që duhet të bëjë kryetari i shtetit e obligon Kushtetuta. Kushtetuta thotë: me plotësimin e kushteve kryetari i shtetit detyrohet t’ia besojë mandatin përfaqësuesit të koalicionit i cili e ka fituar shumicën parlamentare”,- u shpreh eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadriu.
Edhe përkundër rrethanave të krijuara, analisti politik, Albert Hani, thotë se nuk do të përjashtohen përpjekjet për krijimin e institucioneve paralele, sidomos të fokusuara në institucionet e nivelit lokal.
“Vërej elemente politike se kriza do të thellohet në nivel lokal, posaçërisht duke marrë parasysh vendimin e deputetëve të Maqedonisë lindore të cilët në njëfarë mënyre krijuan një lloj rajonizimi ose ndarje në parlament që kushtimit nënkupton dhe një ndarje etnike”,- tha analisti politik, Albert Hani.
Analisti politik, Ismet Ramadani, thotë se përshkallëzimi i situatës mund të parandalohet me sanksione nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkaq përplasjet më të mëdha janë të pamundura për shkak të gatishmërisë së NATO-s.
“Kur të nisin të hyjnë në funksion sanksionet dhe izolimi, atëherë edhe ndjekësit e tyre do të tërhiqen. E dini si është, ka qytetarë të manipuluar, kur do ta shohin se cila anë po rëndon më shumë do të fillojnë të kthehen, një gjë e tillë duhet të provohet. Sa i përket sigurisë të një konflikti më të madh, unë jam shumë i sigurt se zyra e NATO-s veç më ka filluar përgatitjet. Nëse këta mendojnë se do të bëjnë ndonjë konflikt në përmasa më të zhvilluara, ky shans nuk do t’iu jepet”,- theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.
Eksperti Kadriu thotë se po rrezikohet edhe rekomandimi. Andaj, qeveria e re do të duhet të formohet me dorëheqjen paraprake të ministrave të BDI-së dhe për prioritet të kenë reformimin e gjyqësorit dhe kushtetueses.
MERAL ISMAILI
