Ulja e pragut të tatimpaguesve, ekspertët: U bë për të mbushur buxhetin

03.05.2017 15:41

Ndryshimet ligjore të para dy viteve, që ulën pragun e regjistrimit të tatimpaguesve prej 2 në 1 milion denarë...

Ndryshimet ligjore të para dy viteve, që ulën pragun e regjistrimit të tatimpaguesve prej 2 në 1 milion denarë, vërtetë ndikuan në rritjen e të ardhurave në buxhet nga tatimet, por hapën edhe dilema tek ata që tashmë detyrohen të paguajnë detyrimin e tyre të ri ligjor, pasi tani të gjithë personat fizikë që kanë të ardhura shtesë mbi 1 milion denarë  me automatizëm bëhen tatimpagues të rregullt.

Ekspertët thonë se qytetarët duhet të informohen se sa tatim do të duhet të paguajnë, nga DAP thonë se pragu është ulur për të mundësuar konkurrencën lojale.

“Ulja e pragut të regjistrimit është bërë me qëllim që të sigurohen kushte korrekte dhe të barabarta për të gjithë si dhe të rritet konkurrenca lojale”,- u shpreh drejtoresha e DAP-it, Anasatasija Ilievska.

“Ndryshimet u bënë që të grumbullohen më shumë mjete në buxhetin republikan, prandaj u vendos tatim shtesë për kategori të caktuara qytetarësh”,- theksoi profesori universitar, Vanço Uzunov.

“Nuk është turp që të punohet dhe të përfitohen 1 milion denarë, por mirë është që qytetarët të dinë se sa do të paguajnë tatim”,- tha profesoresha universitare, Aleksandra Maksimovska.

Ndryshimi i pragut të regjistrimit është bërë në vitin 2014, ndërsa ka filluar të vlejë nga 1 janari i vitit 2015. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)