Agjencia për Punësim: Masa të reja, vetëpunësim përmes kreditimit
Të gjithë personat e evidentuar të papunë, gjatë dhjetë ditëve të ardhshme mund të paraqiten....

Të gjithë personat e evidentuar të papunë, gjatë dhjetë ditëve të ardhshme mund të paraqiten për masat e vetëpunësimit përmes kreditimit, kreditim për hapje të vendeve të reja të punës në kompanitë ekzistuese, kreditim për vetëpunësim të të rinjve deri në moshën 29 vjeçare, si dhe kreditim të vendeve të punës në ndërmarrje për të rinj deri në moshën 29 vjeçare.
Shuma fillestare e mjeteve për të rinj deri në moshën 29 vjeçare është 7 mijë euro për bartësin dhe nga 4 mijë euro për secilin të punësuar të ardhshëm, mjetet maksimale që mund të fitohen janë 23 mijë euro. Shuma e mjeteve të cilat kompania i merr për një punësim është 4 mijë euro, përkatësisht 12 mijë euro maksimum për punësim të tre personave.
“Për vetëpunësim me kreditim japim mundësi për financim të të ashtuquajturave biznese të vogla me kapacitet më të madh, ku mjetet lëvizin ndërmjet tre deri në pesë mijë euro për bartësin, përkatësisht bashkohen tre deri në pesë persona në një projekt, me çka shuma maksimale e mjeteve, nëse ata persona që bashkohen janë shfrytëzues të kompensimit në të holla nga falimentimi, likuidimi dhe teprica teknologjike, fitojnë 1000 euro shtesë dhe shuma e përgjithshme është 21.000 euro",- deklaroi kryetari i Agjencisë për Punësim i RM-së, Vllatko Popovski.
Norma e interesit për të gjitha kreditë është 1 për qind. Konkursi parashikohet të përfundojë para 27 qershorit. Personat të cilët do t'i fitojnë këto kredi do të jenë të liruar nga kontributet në tre, përkatësisht në pesë vitet në vijim. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)
