Maqedoni

“Der Spiegel”: Shqiptarët kërkojnë atë çfarë iu mohua në 2001-shin

03.05.2017 15:56

Prestigjiozja gjermane “Der Spiegel” i ka bërë një analizë situatës në Maqedoni, duke portretizuar hollësisht kreun e VMRO-së...

Sipas së përjavshmes më të madhe europiane, Nikolla Gruevski, njeriu që përfitoi dikur si liberal dhe si modernizues i vendit të tij, i hyri ngadalë një rruge të ultranacionalizmit dhe sundimit populist.
 
I diplomuar në ekonomi, që në moshën 28 vjeç Gruevski u bë ministër i Financave, e pak përpara se të mbushte 36 zuri karrigen e kreut të ekzekutivit të një shteti që aspironte anëtarësimin në NATO e Bashkimin Europian. Asokohe, Maqedonia së bashku me Kroacinë shiheshin si vendet e Ballkanit më pranë afrimit me BE-në. Por, Gruevski ndryshoi. 
 
“Ai ka qeverisur me metoda kriminale, duke nisur nga falsifikimi i zgjedhjeve e deri te dyshimet për vrasjen e kundërshtarëve politikë. Pra, Maqedonia është kthyer nga shtet model, në shtet eksploziv”,- shkruan “Der Spiegel”, sipas së cilës tani shqiptarët kërkojnë atë që iu mohua në 2001-shin. 
 
“Në thelb, partitë shqiptarë kërkojnë më shumë të drejta, veçanërisht atë të gjuhës, të cilat në fakt janë garantuar nga Marrëveshja e Ohrit. Por, deri tani, shumë pak është bërë në këtë drejtim, gjë që i ka shtyrë shqiptarët të ndihen si qytetarë të dorës së dytë”,- thuhet më tej në artikull. “Der Spiegel” ndalet edhe tek episodi i dhunshëm i 27 prillit.
 
“Për interesat e tij politike, Gruevski kërkon të viktimizojë të gjithë Maqedoninë”,- është mesazhi i shkrimit.
 
REXHEP QAMILI