Maqedoni
Sulmi në Kuvend, Zhbogar: Fajtorët të përballen me drejtësinë
03.05.2017 16:24
Ditën botërore të lirisë së mediave, Maqedonia sërish e shënon nën hijen e dhunës ndaj gazetarëve vetëm pak ditë më parë....

Euroambasadori Zhbogar sulmin e tillë e konsideron si sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe si i tillë thekson se duhet dënuar sa më parë. Nga OSBE vlerësojnë se janë të nevojshme reforma në fushën e medieve, lirisë së shprehjes dhe masa të cilat do ta mbështesin gazetarinë profesionale dhe mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve.
“Maqedonia në Ditën botërore të lirisë së mediave përballet me incidentet që ndodhën në Kuvend. Aty nuk u sulmuan në mënyrë brutale vetëm deputetët, por ishin të sulmuar edhe gazetarët, ekipet e mediave të cilat u penguan të kryejnë punën e tyre. Presim që ata që ishin organizatorë dhe përdorën dhunë, të sillen para drejtësisë”,- theksoi shefi i misionit të BE-së, Samuel Zhbogar.
“Mediumet online dhe offline duhet të jenë të lira që ta kryejnë punën e tyre pa frikë. Siguria e gazetarëve është bazë dhe parakusht për media të lira”,- tha shefja e misionit të OSBE-së, Nina Sounmalain.
Edhe Agjencia për shërbime audiovizuele dënon dhunën ndaj gazetarëve, por kërkon që mediat të jenë objektive dhe të përgjegjshme për rolin e tyre.
“Gazetarët dhe ekipet e mediave ishin aty për të informuar opinionin në lidhje me zhvillimet politike. Secila dhunë ndaj tyre është e papranueshme dhe paraqet sulm të drejtpërdrejtë në lirinë e shprehjes. Në kuptimin e njëjtë theksuam se mediat duhet të jenë të vetëdijshme për peshën e rolit të tyre dhe ta marrin përgjegjësinë që të raportojnë në mënyrë objektive dhe të paanshme”,- tha kryetari i AShAA-vit, Zoran Trajçevski.
Në ditën e lirisë së mediave, përmes një kumtese, LSDM premton se Maqedonia do të jetë vend i gazetarëve dhe mediave të lira, profesionale dhe të pavarura.
"Qeveria e re obligohet se do të respektojë dhe mbrojë të drejtën e shprehjes dhe lirinë e mediave si vlera të larta demokratike të shoqërive të civilizuara. Dinjiteti që treguan gazetarët në ditën e dhunës së përgjakshme në Kuvend dhe raportimi objektiv i disa mediave jep shpresë se në Maqedoni mund të rehabilitohet liria e mendimit, fjalës dhe shprehjes",- thonë nga LSDM.
Gazetaria e pavarur e jashtë ndikimeve politike është një ndër kërkesat kryesore edhe në Raportin e Pribesë dhe në Raportin e Komisionit Europian.
ERSAN PAJAZITI
