Maqedoni

Edhe tre ndalime për dhunën në Kuvend, protestuesit filluan të vetëdorëzohen

03.05.2017 16:47

Edhe tre persona janë ndaluar mbrëmë në kuadër të masave për zbardhje të trazirave që kanë ndodhur të enjten e kaluar në Kuvend...

Sipas MPB-së, dy 33 vjeçarë dhe një 45 vjeçar, të gjithë nga Shkupi, janë ndaluar për veprat penale “Pjesëmarrje në turmë që do të pengojë një person zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale”.
 
Ndaj njërit prej tyre tashmë është shqiptuar edhe masë tetëditore paraburgimi. Duket se ndalimet e ditëve të fundit kanë shtuar frikën e pjesëmarrësve në dhunën në Kuvend. Në përpjekje për të marrë dënim më të lehtë nëse paraqiten vetë, ata kanë filluar të shkojnë në polici pa u thirrur.
 
Kështu, një 40 vjeçar është paraqitur vullnetarisht në Stacionin policor Kisella Vodë, i dyshuar për vepër të kryer penale “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale”. Nga 12 të arrestuarit e deritanishëm, ndaj gjashtëve është  shqiptuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej tetë ditëve, për një person masë paraburgimi vendor, ndërsa për dy persona – kujdes, informoi MPB.
 
SPB - Shkup në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike - Shkup deri më tani ka ngritur kallëzim penal për 20 persona të identifikuar - pjesëmarrës në trazirat në Kuvend.
 
LEUNORA KALIQI