Maqedoni

Xhaferi fillon punën në kabinetin e kryetarit, Zhbogar shpreh gatishmëri për bashkëpunim

03.05.2017 17:02

Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, filloi punën në kabinetin e tij. Rezistenca e ish-kryetarit, Trajko Veljanovski...

Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, filloi punën në kabinetin e tij. Rezistenca e ish-kryetarit, Trajko Veljanovski, për të mos ia dorëzuar kabinetin kryetarit të ri, dështoi. Edhe vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe akti për shpallje është dorëzuar në Gazetën Zyrtare.
 
Dokumentet janë nënshkruar nga zëvendëssekretari gjeneral i Kuvendit, Nexhbedin Ibraimi, pasi, siç thonë, sekretari i Kuvendit ka qenë i penguar ta bëjë një gjë të tillë. 
 
Në ditën e parë të punës, në kabinetin e tij, Xhaferi priti ambasadorin e Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar. Në takim, ambasadori Zhbogar ka treguar gatishmërinë e BE-së për të bashkëpunuar në drejtim të zbatimit të reformave me procesin e integrimit në strukturat euroatlantike. 
 
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit ka theksuar se do të angazhohet në forcimin e proceseve demokratike dhe realizimin e plotë të parimeve të demokracisë parlamentare në funksionimin e Kuvendit si dhomë legjislative. 
 
“Kryetari Xhaferi potencoi se pret formim të shpejtë të Qeverisë së re dhe pastaj të gjithë bashkërisht, duke e respektuar para së gjithash mëvetësinë e të gjithë degëve të pushtetit, të punojmë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe për realizimin e përcaktimeve tona strategjike, e ato janë anëtarësimi në NATO dhe BE”,- thuhet në kumtesën e Kuvendit.
 
Por, a e pranoi edhe VMRO-DPMNE zgjedhjen e Xhaferit me aktin e tërheqjes së ish-kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, nga kabineti i kryetarit?!
 
“Edhe një herë do ta përsëris, u bë përpjekje jolegale për zgjedhje jolegale të kryetarit të Kuvendit të RM-së”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
 
Kryeparlamentari Xhaferi nuk e përjashtoi mundësinë që këto dy ditë të njoftojë edhe presidentin e Republikës, Gjorge Ivanov, se në Kuvendin e Republikës është formuar shumicë e re parlamentare, me qëllim që Ivanovi t’ia ndajë mandatin kandidatit të kësaj shumice për mandatorin, Zoran Zaev.
 
SHPËTIM NUREDINI